Presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë biseduar në telefon sot për herë të parë që kur tensionet midis vendeve të tyre u përshkallëzuan për shkak të tarifave, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, telefonata është zhvilluar me kërkesë të Washingtonit.
Negociatat tregtare midis SHBA-së dhe Kinës u ndërprenë menjëherë pas marrëveshjes së tyre të 12 majit për të ulur tarifat.
Sipas asaj marrëveshjeje, SHBA-ja dhe Kina ranë dakord për një pezullim 90-ditor të shumicës së tarifave dhe një heqje të masave të vendosura që nga fillimi i prillit.
Secila palë ka akuzuar tjetrën për shkelje të kushteve. Trump ka pretenduar se Kina nuk ka arritur ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa Pekini të hënën i hodhi poshtë këto akuza si “të pabaza” dhe paralajmëroi për kundërmasa të forta për të mbrojtur interesat e saj ekonomike.
Të mërkurën, Trump e përshkroi homologun kinez Xi si “shumë të vështirë dhe jashtëzakonisht të rëndë për të bërë një marrëveshje me të”.