Trump dërgon njeriun e tij në Kiev – do të bisedohet për mineralet 500 miliardë dollarëshe të Ukrainës

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent do të udhëtojë këtë javë në Kiev për bisedime me zyrtarët ukrainas në lidhje me depozitat e mineraleve kritike të vendit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se dëshiron qasje në mineralet në këmbim të ndihmës së vazhdueshme të SHBA-ve për Ukrainën.

“Po dërgoj Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në Ukrainë për t’u takuar me presidentin Zelensky. Kjo luftë duhet dhe do të përfundojë shpejt – shumë vdekje dhe shkatërrim. SHBA ka shpenzuar miliarda dollarë në mbarë botën, me pak për të treguar. Kur Amerika është e fuqishme, bota është në paqe”, ka shkruar ai në Truth Social.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të hënën se planifikon të takohet këtë javë me “persona seriozë” nga administrata Trump në Ukrainë, para se të udhëtojë për në Konferencën e Sigurisë në Mynih, por nuk zbuloi se kush do të ishte takimi.

“U thashë atyre se dua ekuivalentin e 500 miliardë dollarëve në minerale të rralla”, tha lideri amerikan në një intervistë për Fox News. “Dhe ata kanë pranuar esencialisht të bëjnë këtë, që të paktën të mos ndihemi budalla”.

Zelensky shkroi në X se ato nuk do t’i dorëzohen falas “ukraina është e hapur për partneritete, por burimet tona nuk janë diçka që ne thjesht i dorëzojmë tek aleatët tanë më të ngushtë. Bashkëpunimi strategjik duhet të jetë reciprokisht i dobishëm”

Megjithatë, presidenti ukrainas ka shprehur më parë gatishmërinë për të lejuar SHBA-në të ketë qasje në burimet natyrore të Ukrainës, përfshirë depozitat e mineraleve kritike si grafiti, litiumi, titani, beriliumi dhe urani.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, i tha NBC-së të dielën se mineralet mund të jenë një mënyrë për SHBA-në të “marrë përsëri” kostot e mbështetjes për Ukrainën gjatë luftës me Rusinë.