Marrëveshja e paqes në Gaza pranë finalizimit, Izraeli ndalon ofensivën.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje historike paqeje mes Izraelit dhe Hamasit është “shumë afër” nënshkrimit, ndërsa ka theksuar se do të përpiqet ta përmbyllë atë brenda disa ditëve të ardhshme.
Në një intervistë për Axios, Trump tha se i kishte dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu: “I thashë: Bibi, kjo është mundësia jote për fitore. Ai ishte në rregull me këtë. Duhet të jetë, sepse me mua, duhet të jesh në rregull”.
Këto deklarata vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike të Trump, si publike ashtu edhe prapa skenës, kanë afruar më shumë se kurrë Izraelin dhe Hamasin drejt përfundimit të luftës që nisi më 7 tetor 2023, pas sulmeve të grupit militant në jug të Izraelit.
Sipas burimeve të Axios, të shtunën në mëngjes Ushtria izraelite (IDF) ka ndaluar bombardimet në Gaza dhe ka kaluar në regjim mbrojtës, me qëllim përgatitjen e zbatimit të fazës së parë të planit të Trump, që parashikon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Ky vendim erdhi menjëherë pasi Trump u kërkoi autoriteteve izraelite të ndalonin ofensivën dhe të hynin në negociata për finalizimin e marrëveshjes me Hamasin.
Në një reagim zyrtar, zyra e kryeministrit Netanyahu konfirmoi pezullimin e ofensivës, duke theksuar se Izraeli po përgatitet për zbatimin e menjëhershëm të Planit Trump për lirimin e pengjeve dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.










