Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar Brazilin për “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij të krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, duke u kërkuar autoriteteve braziliane që të mos e shqetësojnë Bolsonaron.
“E kam shikuar, ashtu sikurse bota, që nuk kanë bërë asgjë përveçse e kanë përndjekur, ditë pas dite, natë pas nate, muaj pas muaji, vit pas viti”, ka thënë Trumpi për rastin gjyqësor të ish-presidentit të Brazilit.
Bolsonaro është duke u përballur me Gjykatën Supreme të Brazilit nën dyshimet se ka udhëhequr “organizatë kriminale”, e cila ka kryer komplot për puç për ta mbajtur atë në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022, të cilat i ka fituar Luiz Inacio Lula da Silva, i krahut të majtë.
Sipas prokurorëve, tentimet për puç nuk janë jetësuar për shkak të mungesës së mbështetjes të komandës së lartë ushtarake.
Bolsonaro mund të përballet me 40 vjet burgim, nëse shpallet fajtor.
Ai pretendon se është viktimë e “persekutimit politik” për t’ia parandaluar garën për president vitin tjetër, pavarësisht se i është ndaluar gara deri më 2030 për shkak të përhapjes së dezinformatave për sistemin zgjedhor.
Komentet e Trumpit kanë ardhur teksa Lula është nikoqir i përfaqësuesve të Kinës, Rusisë, Iranit dhe kombeve tjera për një samit të BRICS-it në Rio de Zhaneiro.
Në samit janë kritikuar tarifat e Trumpit dhe bombardimet në Iran, çka ka nxitur presidentin amerikan të kërcënojë me tarifa shtesë prej 10 për qind për secilin shtet anëtar të BRICS-it./rel
The post Trump, autoriteteve të Brazilit: Lëreni rehat Bolsonaron appeared first on Kosovapost.net.