Presidenti Trump në një prononcim për media ka deklaruar ka se një takim mes tij dhe Putin mund të ndodhë gjatë këtij muaji.
I pyetur nëse ai mbështet vendosjen e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, presidenti Donald Trump tha se “nuk do ta kundërshtonte fare atë”.
“Nëse ata duan ta bëjnë këtë, është mirë. Unë jam për këtë. Nëse ata duan ta bëjnë këtë, mendoj se do të ishte mirë,” u tha ai gazetarëve sot, duke vënë në dukje se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur të hapur për ta bërë këtë.
Shtetet e Bashkuara, sugjeroi ai, nuk do të marrin pjesë “sepse jemi shumë larg”.
Presidenti vazhdoi duke thënë se “askush nuk më ka kërkuar që” të largojë të gjitha trupat amerikane nga Evropa nëse do të kishte një marrëveshje paqeje, “kështu që unë nuk mendoj se ne do të duhet ta bëjmë këtë”. Ai vazhdoi: “Nuk do të doja ta bëja këtë. Por kjo çështje nuk është ngritur kurrë.”
Trump i karakterizoi bisedimet e së martës me zyrtarët rusë si “shumë të mira”, duke shtuar se SHBA “dëshiron të bëjë diçka”.
“Ata duan të ndalojnë barbarizmin e egër,” tha ai. “Si Rusia dhe Ukraina, ata po humbasin mijëra e mijëra ushtarë, dhe shumë njerëz janë vrarë gjithashtu.”
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord për katër parime pas bisedimeve që zgjatën më shumë se katër orë në Arabinë Saudite, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke përfshirë caktimin e një ekipi të nivelit të lartë për të ndihmuar “negocimin dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë” në një mënyrë që “është e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili nuk ishte i ftuar në bisedime, tha se Ukraina nuk do t’i “dorëzohet ultimatumeve të Rusisë” dhe më herët tha se do të refuzonte të nënshkruante çdo marrëveshje të negociuar pa përfshirjen e Kievit.