Tromp: Specialja tregoi mungesë respekti për Kosovën, mund të ketë nervozizëm të gjyqtarëve se si do të priten krerët e UÇK-së

Hulumtuesja e Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka treguar respekt për institucionet e Kosovës.

Këtë konstatim, Tromp e dha duke komentuar refuzimin për lirim të përkohshëm ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në një përgjigje për Nacionalen, Tromp ka deklaruar se ka qenë Kosova që e ka krijuar këtë Gjykatë, dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim, siç po bëjnë gjyqtarët e Speciales.

Ajo deklaroi se që nga fillimi i gjykimit, lirimi i përkohshëm ka qenë temë që lidhet direkt me të drejtat e të akuzuarve në procedurë.

“Duhet të jetë kështu – Selimi, Krasniqi dhe Veseli janë ende të akuzuar, dhe janë të pafajshëm derisa të provohet fajësia në vendim. Shpërfillja e garancive të policisë së Kosovës mund të interpretohet si mungesë respekti për institucionet shtetërore të Kosovës. Parlamenti i Kosovës, qeveria e saj dhe Gjykata Kushtetuese e bënë të mundur KSHC-në dhe nuk ka nevojë për asnjë dyshim. Mënyra se si është trajtuar çështja e lirimit të përkohshëm që nga fillimi i gjykimit deri më tani lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e gjyqit dhe të drejtat e të akuzuarit”, ka thënë Nevenka Tromp për Nacionalen.

Tromp e cila ka përvojë në Tribunalin e Hagës, thotë se më nuk është arsye frikësimi i dëshmitarëve, pasi dëshmitarët dhe provat e Prokurorisë kanë përfunduar.

“Duke pasur parasysh faktin se Prokuroria e përfundoi pjesën e saj të çështjes dhe të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë janë dëgjuar, argumenti i Prokurorisë për frikësimin e dëshmitarëve të Prokurorisë nuk është më i vlefshëm. Dëshmitarët që do të vijnë për pjesën e Mbrojtjes së çështjes do të jenë dëshmitarët e Mbrojtjes që do të dalin me vullnetin e tyre të lirë për të dhënë dëshmi në favor të të akuzuarve”, tha Tromp më tutje.

Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit tha se ndoshta gjyqtarët kanë frikë për mënyrën se si do të priteshin ish-krerët e UÇK-së.

“Sa i përket faktit që Policia e Kosovës dha garancinë e saj, e cila u shpërfill nga gjyqtarët e gjykatës, kjo tregon nervozizmin e gjyqtarëve se si mund të ishin pritur edhe këta në Kosovë. Ata ndoshta kanë frikë edhe nga çdo ndërlikim që ky vendim mund të shkaktojë jashtë gjykatës – në Serbi dhe në Kosovë. Por asnjë nga këto konsiderata nuk i vendos të drejtat e të akuzuarve në plan të parë”, tha ajo më tutje.

Refuzimi i lirimit të përkohshëm

Gjykata Speciale me seli në Hagë ka refuzuar kërkesën për lirim të përkohshëm për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Vendimi ende nuk është bërë publik, megjithatë kjo vërtetohet në kërkesën e fundit për vazhdim të paraburgimit ndaj Kadri Veselit.

“Paraburgimi mbetet proporcional. Në shqyrtimin e fundit të paraburgimit, ky Panel konstatoi se paraburgimi i Veselit për dy muaj të tjerë ishte i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të çështjes. Më 13 maj 2025, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbeti i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se refuzimi është bërë edhe për Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Duke përfunduar dëshmitarët, paraburgimi ka nxitur shumë kritika në Kosovë.

Nuk ka vlejtur as garanca e Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Hagës kishte insistuar se Policia nuk ka kapacitet për ta zbatuar arrestin shtëpiak.

Në parashtresën që e ka deponuar në Hagë mbrojtja e Jakup Krasniqit, e të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se Policia është zotuar se posedon të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike për ta zbatuar arrestin shtëpiak.

“Më 26 tetor 2021, Policia e Kosovës iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake për të konfirmuar hapat që Policia e Kosovës do të ishte në gjendje të ndërmerrte për të monitoruar të Akuzuarin gjatë lirimit të përkohshëm. Më 28 mars 2025, Policia e Kosovës konfirmoi se ka kapacitetet e nevojshme, duke përfshirë burimet njerëzore dhe pajisjet teknike, për të zbatuar masat e arrestit shtëpiak për të gjithë kohëzgjatjen e lirimit me kusht.1[REDAKTUAR]. Për më tepër, Policia e Kosovës informoi se [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtresë, raporton gazeta Nacionale.

Megjithatë, ky zotim i Policisë po del se nuk ia ka mbushur mendjen Prokurorisë. Madje, sipas dokumenteve publike, del se Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hedhur dilema për efikasitetin e Policisë në zbatimin e kësaj mase.

Prokuroria në parashtrimet e saj, ka kërkuar nga gjyqtarët të refuzojnë kërkesat për lirim me kusht dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbeten në paraburgim.

Për aftësinë e Policisë së Kosovës dhe dyshimet e Prokurorisë së Hagës, një dokument me reagim të ashpër e ka dërguar mbrojtja e Kadri Veselit. Ekipi mbrojtës thekson se Policia e Kosovës është institucion i shtetit që e ka themeluar gjykatën, dhe ka aftësi për ta zbatuar secilën kërkesë nga gjyqtarët.

“Policia e Kosovës është e aftë të zbatojë çdo kusht të urdhëruar nga Paneli. Në fillim, Mbrojtja nënvizon se Policia e Kosovës është një organ i të njëjtit shtet, të cilit i përket kjo gjykatë, DHSK-ja. Profesionalizmi i tyre konfirmohet nga Komisioni Evropian. Ajo kërkohet drejtpërdrejt, sipas Nenit 53 të Ligjit, që të “zbatojë pa vonesë të panevojshme çdo kërkesë për ndihmë ose një urdhër ose vendim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.Ligji për Policinë kërkon më tej në mënyrë të qartë që Policia e Kosovës të ekzekutojë çdo urdhër të ligjshëm gjyqësor. Natyrisht, kjo përfshin çdo urdhër nga Paneli Gjykues për të parandaluar pengimin e drejtësisë gjatë lirimit të përkohshëm. Çdo pyetje në lidhje me gatishmërinë ose aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet duhet të merret në konsideratë duke pasur parasysh këtë kuadër të qartë ligjor. Ata janë në dispozicion të Gjykatës për të siguruar që urdhrat e saj të zbatohen në mënyrë efektive, duke përfshirë edhe mohimin e çdo rreziku që mund të thuhet se lind në lidhje me çdo çështje të supozuar të mbrojtjes së dëshmitarëve. Do të ishte gabim të refuzohej lirimi i përkohshëm në bazë të ndonjë mangësie të dukshme në operacionet e Policisë së Kosovës”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Kadri Veselit të cilën e ka siguruar Nacionale.