Nga 10.279 vota sa i kishte marrë më 2021 si mëtonjës për kryebashkiak të Mitrovicës, Gima i Gushavcit tani ka bërë për vete 20,500 qytetarë tej-e-tej Kosovës. Thënë në gjuhë përqindjesh, 1.29 për qind e njerëzve rezidentë në Kosovë e duan këtë gaztor si veten ose më shumë se veten. Sado partia i rezervoi një numër jo fort të lakmueshëm diku kah fundi i listës, mitrovicasi 65-vjeçar ka bërë kërdinë dhe tani asgjë nuk e pengon të jetë i ulur si deputet në Kuvendin e Kosovës, e mbase edhe t’i shortohen funksione publike. Vetë Kurti sikur e kishte ogurzuar dikur se Mitrovica nuk është e zakonshme, ndaj edhe kërkoheshin njerëz të pazakonshëm. “Prej 1919-s…unë jam shok i Albinit deri në vdekje…jam sharë me nënë, midis Ibrit, me Radojiçiqin…bërthamat e kumbullave mund të përdoren për ngrohje”, mund të jetë fjalimi i tij në Kuvendin e Kosovës nëse i japim vetes liri për ta imagjinuar Gimën e Gushavcit në kapacitete të reja.
Col Mehmeti
20, 500 qytetarë të Republikës së Kosovës me të drejta të barabarta, të vlefshëm si secili nga ne para Kushtetutës, më 9 shkurt të këtij viti e kanë votuar ish-kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Të qenët në pjesën fundore të listës, duke mbajtur numrin 81, nuk i ka penguar votuesit në Mitrovicë dhe vende të tjera në Kosovë që ta gjejnë në fletvotim e t’i japin besimin sipëror për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Gima i Gushavcit”
I përkdhelur herëpashere nga kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti si “Gima i Gushavcit”, Bahtiri, gjykuar nga sasia aktuale të votave, etablohet si politikan për t’u bërë hesap.
“Mitrovica nuk është qytet i zakonshëm, prandaj as nuk mund të jesh as kryetar i zakonshëm”, e kishte racionalizuar Kurti mbështetjen e tij për njeriun që dy herë radhazi e fitoi besimin e mitrovicasve si kandidat i AKR-së.
Ç’është e vërteta, pak vetë duket se e kanë kuptuar cilësimin e tij si “akademik” nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Agimi, sipas saktësimit të tij, është “akademik për kanalizime, ujësjellës e çështje komunale”.
Histori me dy akte: ikja nga Pacolli, ngjitja te Kurti
Por, cila rrethanë e jashtëzakonshme e përligj një mbështetje të këtillë të jashtëzakonshme për ish-kryetarin kundërthënës të Mitrovicës?
Nga korriku i 2019-s kur dha dorëheqje prej partisë së Behgjet Pacollit, biznesmeni nga Holanda përmes flirit ka lidhur miqësi të rrallë me Kurtin—ky kishte qenë sebep që brendapërbrenda filialit lokal të Vetëvendosjes në Mitrovicë të krijoheshin faksione e fraksione plot pezm e pakënaqësi.
Kjo gati sa nuk e kishte hedhur përpjetë kapakun e tenxheres nga pakënaqësitë latente në Vetëvendosjen lokale.
Fillimisht, Kurti i kishte hapur dyert e partisë për pjesëtarin e dikurshëm të partisë së gruas së Millosheviqit Mirjana Markoviq “Jugoslovenska levica” (JUL).
Të njëjtën mirëseardhje në parti i kishte dëshiruar edhe Armend Mujës i cili, në një të kaluar jo të largët, kishte kërkuar që Vetëvendosja e Lista Serbe të shpallen organizata të paligjshme.
Reputacion prej gaztori
Në të vërtetë, reputacioni prej gaztori joqëllimor e ka paraprirë emrin e Agim Bahtirit.
Me sasinë e varfër leksikore, vajtueshëm të varfër, të shqipes, ‘Gima i Gushavcit’, më 2014, kishte bërë nam me premtimin e tij me nota komike sesi bërthamat e kumbullave do të përdoreshin për ngrohjen e shkollave.
Edhe premtimi i tij për fabrikë kërpudhash do të përcillej me hilaritete, harkim vetullash e mosbesim.
Paçka se fabrika ‘Hirano Mushroom’ arriti vërtet të hapej, prodhimet e saj të para ishin mashtrimet e hilet.
Vetë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli kishte thënë se bashkëpartiaku i tij e kishte prerë në besë. Sipas tij, Bahtiri e kishte ndërtuar fabrikën në tokën e vet, për të cilën paguan 34 mijë euro.
Mbështetur në ato që deklaron në Agjencinë kundër Korrupsionit, Gima del të jetë milionësh për nga mylku i tij.
Anëtari krenar i VV-së ka deklaruar një tokë bujqësore në vlerë prej 6 milionë e 200 mijë eurosh, kurse ndër asetet e paluajtshme ka katër shtëpi.
Imagjinatë, senzacion e budallëqe
Derisa projektet me bërthama kumbullash mbesin si ambicie me primesa futuriste, Bahtiri rregullisht ka prodhuar lëndë të parë për senzacione e anekdota.
Me elemente të qarta të konfabulimit (prodhim i memories false me qëllim të mashtrimit) kishte qenë edhe rrëfimi i tij se si ishte sharë me nënë me kapon e krimit në veri, Milan Radoiçiq.
Dhe kjo vaki alla-Gimçe kishte ndodhur “midis Ibrit”, siç shprehej në një takim me besimtarët e Vetëvendosjes në Mitrovicë.
Diku tjetër, Gimçja kishte thënë se është pjesë e Vetëvendosjes “që nga viti 2019”.
VV-ja i thur biografi elegante
Pavarësisht komandës së varfër të shqipes, faqja zyrtare e Vetëvendosjes është tejet e pasur me vlerësimet pa doganë për njeriun e saj:
“Z. Bahtiri përveç gjuhës amtare, flet rrjedhshëm gjuhën serbo–kroate dhe holandeze, kurse pjesërisht gjuhën gjermane dhe angleze”, thuhet në këtë jetëshkrim të autorizuar nga Vetëvendosja.
Meqë shqipen e tij amtare e flet mosomëkeq, rrjedhshmëria e tij në serbisht e holandisht ngre pikëpyetje, ashtu si edhe gjermanishtja e anglishtja e tij misterioze.
Për ndonjë të fandaksur pas psikolinguistikës, rasti i Bahtirit mund të jetë një konfirmim i gjallë i hipotezës Sapir-Whorf.
Fjala është për atë propozim të dyshes së gjuhëtarëve të njohur që i mëshonte idesë se sasia e gjuhës përcakton dhe ndikon mënyrën sesi individi mendon për realitetin.
Shqipvarfëra e Bahtirit mezi e krijon dhe gjuhëson një realitet të jashtëm, por kjo nuk e ka zbehur asfare entuziazmin popullor që ai të shihet si njeri i denjë për deputet e për funksione publike.
Nëse e bëjmë një vramendje lojcake, 20,500 qytetarë që e votuan Bahtirin në këto zgjedhje i bie të jenë 1.29 për qind e gjithsejtit të popullatës në Kosovë prej 1 milionë e 587 mijë frymësh.