Laçi është tronditur në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një shpërthim me lëndë plasëse ka goditur një dyqan në një kompleks shërbimesh, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Zhurma e fortë e shpërthimit është dëgjuar rreth orës 03:00, ndërsa forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të nisur hetimet.
Sipas informacionit paraprak, një sasi tritoli ishte vendosur në qepenin e derës së dyqanit, duke shkaktuar dëme materiale, fatmirësisht pa persona të lënduar, shkruan Top Channel transmeton Klankosova.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Deri më tani nuk dihen motivet e vendosjes së lëndës plasëse, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.









