Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se po ballafaqohen përsëri me probleme me paga e probleme të tjera financiare.
Arsyet për këtë sipas ndërmarrjes janë “bllokadat përmbarimore të iniciuara nga punonjësit”
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, në proces të pagesës është shuma prej 475,498.00 €, e cila përfshin: Obligimet ndaj punonjësve – 347,047.00 €; Shpenzimet përmbarimore – 37,299.00 €; Shpenzimet e avokatëve – 91,152.00 €.
“Kjo shumë përbën mbi 50% të fondit mujor të pagave të Trepça SH.A, duke e rënduar edhe më shumë gjendjen financiare të ndërmarrjes dhe duke e vështirësuar menaxhimin e burimeve financiare për funksionimin e saj. Trepça SH.A operon përmes njësive të saj biznesore, mirëpo të ardhurat nga eksporti i koncentrateve dhe qiradhënia nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha njësitë, veçanërisht ato që për një kohë të gjatë nuk kanë arritur të krijojnë të hyra financiare”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja “Trepça”, ka shkruar se situata e krijuar paraqet një rrezik serioz për funksionimin e mëtejshëm të ndërmarrjes dhe kërkon një zgjidhje urgjente për të garantuar stabilitetin financiar dhe operativ të Trepça SH.A.
“Për shkak të gjendjes së rëndë financiare, Trepça SH.A u bën thirrje të gjithë punonjësve të përfshirë që të paraqiten pranë menaxhmentit për arritjen e një marrëveshjeje. Në të kundërtën, rrezikohet likuiditeti i ndërmarrjes dhe funksionimi i saj në të ardhmen”, thuhet në njoftim.