Ndërmarrja “Trepça”, pjesa e cila ende mbetet nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka realizuar një tender për mirëmbajtjen e kompresorëve industrialë në minierën e Crnacit, duke ia dhënë kontratën një kompanie nga Serbia, shkruan Demokracia.com.
Tenderi i titulluar “Prokurimi i kompleteve të shërbimit për një shërbim të madh të kompresorit GA 250 (kompresori i ri) dhe GA 250 (kompresori i vjetër) në minierën e Crnacit” është fituar nga kompania “Atlas Copco Srbija doo”, me seli në Beograd, në vlerë prej 9,129.94 euro.
Sipas të dhënave të E-prokurimit, ky tender është zhvilluar përmes procedurës së kuotimit të çmimit, një metodë e prokurimit që zakonisht përdoret për kontrata me vlerë më të vogël dhe që kërkon ftesën e të paktën tre operatorëve ekonomikë për të konkurruar. Megjithatë, në këtë rast, nuk janë ftuar tri kompani për të negociuar ofertën, por vetëm një.
Ky zhvillim ndodh në një kontekst ku marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të ndërlikuara, sidomos për shkak të tarifave të vendosura ndër vite dhe politikave të reciprocitetit, pasi kompanitë Kosovare nuk mund të kontraktohen nga Shteti Serb.
Demokracia.com ka raportuar në të kaluarën se ndërmarrja Trepça, e cila operon sipas ligjeve të Kosovës, herë pas here ka realizuar kontrata për blerjen e shërbimeve ose pajisjeve nga kompani në Serbi, por zakonisht ato blihen me prokurim nga kompanitë nga veriu i vendit, por edhe nga kompani të tjera brenda Kosovës.
Në këtë rast, një detaj i pazakontë është fakti që, ndonëse “dosja e tenderit”, “njoftimi për kontratë” dhe “paramasat” janë të ngarkuara në gjuhën shqipe në platformën e prokurimit, “njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues” është publikuar vetëm në gjuhën serbe.
“Atlas Copco Srbija doo” është dega serbe e kompanisë suedeze Atlas Copco, e cila është themeluar në vitin 1873 dhe është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e kompresorëve, pompave të vakumit, gjeneratorëve dhe pajisjeve të tjera industriale.
Në Serbi, Atlas Copco është e pranishme që nga viti 1957, duke ofruar një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh për sektorin industrial. Kompania nuk ka një degë të saj në Kosovë.
Sipas të dhënave të disponueshme, “Atlas Copco Srbija doo” është regjistruar më 31 korrik 2017, me adresë në Bulevar Milutina Milankovića 23, Beograd (Novi Beograd), Serbi. Drejtori aktual i kompanisë është Predrag Ilibašić. / Demokracia.com /