Ndërmarrja “Trepça” SHA ka finalizuar një nga tenderët më të mëdhenj të viteve të fundit, shitjen e koncentrateve të plumbit dhe zinkut, me vlerë totale rreth 20.9 milionë dollarë, duke zgjedhur dy kompani fituese pas një gare ku morën pjesë gjigantë ndërkombëtarë të tregtimit të metaleve, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit zyrtar për vendimin e autoritetit kontraktues, gara është zhvilluar për dy llote – një për shitjen e koncentratit të Plumbit dhe një për Zinkun dhe procesi përfshiu disa prej emrave më të njohur globalë në këtë industri, si Trafigura, Glencore, Mineco, KCM dhe kompani tjera nga rajoni.

Llot 1: Koncentrati i Plumbit
Fitues është shpallur kompania britanike Mineco International Limited, me adresë në London, me një ofertë prej: 14,841,827.08 dollarë
Kjo ofertë rezultoi të jetë më konkurruesja mes gjigantëve botërorë si Trafigura dhe Glencore, të cilat kishin ofruar çmime pak më të ulëta, por duket se kanë humbur në aspektin teknik dhe dokumentacionin e kërkuar.
Llot 2: Koncentrati i Zinkut
Fitues është kompania bullgare KCM AD (Plovdiv), një nga rafineritë më të mëdha të Evropës Lindore, me vlerën: 6,062,609.17 dollarë
Në këtë lot, disa kompani të tjera kishin ofruar çmime të ngjashme, si Trafigura, Glencore dhe Mineco, por vetëm KCM ka kaluar fazën e vlerësimit teknik dhe administrativ.
Sasia e shitjes: mbi 6 mijë tonë koncentrat zinku
Sipas dokumentacionit zyrtar, Trepça ka nxjerrë në shitje sasi të konsiderueshme të zinkut të prodhuar nga minierat e saj:
Nga Miniera e Stan Tërgut
5,840.51 ton koncentrat me lagështi
Pas zbritjes së lagështisë standarde 8%: 5,373.27 DMT (Dry Metric Tons)
Nga Miniera e Artanës
666.72 ton koncentrat me lagështi
Pas zbritjes së lagështisë: 613.38 DMT
Totali i përgjithshëm i zinkut të ofruar
6,507.23 ton bruto
5,986.65 DMT neto
Në proces kanë marrë pjesë disa kompani të njohura ndërkombëtare:
- Trafigura Pte Ltd (Singapor)
- Glencore International AG (Zvicër)
- Mineco International Limited (Britani)
- KCM AD (Bullgari)
- CCALB SHPK (Shqipëri)
- Rec Kos SHPK (Kosovë) . /Demokracia.com/











