Trepça ’89 është skuadra e dytë që e ka siguruar mbijetesën në Ipko Superligë, pasi e fitoi ndeshjen e barazhit kundër Vëllaznimit me rezultat 4:2. Para mitrovicasve, të premten, mbijetesën e siguroi edhe Gjilani.
Trepça ’89 arriti të triumfojë me rezultat 4: 2 në ndeshjen e barazhit kundër Vëllaznimit, e cila ishte mjaft interesante dhe me shumë gola. Kjo fitore bën që dy skuadrat të garojnë edhe sezonin tjetër në ligat ku ishin gjatë sezonit 2018/19, raporton Gazeta Express.
Në ndeshjen që filloi në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, fillimisht në epërsi kaloi Trepça ’89, përmes golit të shënuar në minutën e 14-të nga Richard Asare me kokë, pas një harkimi nga këndi.
Vetëm rreth dhjetë minuta më vonë, rezultati i ndeshjes u barazua. Tun Bardhoku e barazoi rezultatin me një supergol, në stilin “vollej”, pas harkimit nga Sahiti.
Megjithatë, gjakovarët nuk lejuan që pjesa e parë të mbyllet pa fitues dhe goli i epërsisë u shënua pak para fundit të ndeshjes, nga Almedin Murati.
Por, pjesa e dytë nuk shkoi ashtu siç kishin shpresuar lojtarët dhe stafi i Vëllaznimit. Trepça ’89 u kthye fuqishëm nga zhveshtoret dhe i shënoi tri gola në pjesën e dytë (Ard Manaj 55’, Hasan Hyseni 65; dhe Engjulll Hoti 87’) për ta siguruar mbijetesën.
Afër fundit të ndeshjes, pati shumë tensione në fushë dhe gjyqtari përjashtoi Kushtrim Gashin e Vëllaznimit dhe Ylber Malokun e Trepçës ’89. Gjyqtari kryesor Mervan Bejtullahu i përjashtoi edhe dy zyrtarë të klubit gjakovar nga stoli.
Vëllaznimi garoi në këtë barazh pasi e mbylli sezonin në pozitën e katërt në Ligën e Parë, ndërsa Trepça ’89 përfundoi në pozitën e nëntë në Superligën e Kosovës.
Këto dy skuadra janë ndeshur edhe më parë këtë sezon, në kuadër të Kupës së Kosovës, në gjysmëfinale. Megjithatë, ajo ndeshje kishte rrjedhur ndryshe dhe mitrovicasit fituan me rezultat të përgjithshëm 5:1.