Kryetarja e gjykatës me bazë në Hagë që po heton krimet e luftës të pretenduara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës kundër forcave serbe dy dekada më parë, ka kërkuar me ngulm nga diplomatët e BE-së që të ndihmojnë në luftën kundër një fushate për ta minuar punën e saj në Kosovë.
Në një raportim konfidencial para diplomatëve evropianë në Hagë më 11 shkurt, kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova paralajmëroi se gjykata po përballet me përpjekje të shtuara nga brenda Kosovës për të penguar procedurat e vazhdueshme ligjore, përfshirë kundër ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, të cilit iu ngrit aktakuza për krime të luftës vitin e kaluar.
Në një transkript të raportimit, të siguruar nga “Euronews”, Trendafilova tha se tashmë po bëheshin përpjekje për të sfiduar ligjin që ngriti gjykatën në 2015 dhe mund të përfshijë përpjekje ose për të falur të dënuarit për krime ose edhe për të zhvendosur të gjithë gjykatën – dhe të dhënat e saj voluminoze konfidenciale – nga Haga, ku është aktualisht e vendosur, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
“Kjo sigurisht që do të vë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës mbi dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë më të paraqiten, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me rastet e tij”, tha Trendafilova.
Trendafilova, e cila është bullgare, gjithashtu paralajmëroi për sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten para prokurorisë në rastet që po vazhdojnë, dhe u kërkoi kombeve evropiane të marrin në konsideratë “marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi” që do të mund t’i zhvendosin dëshmitarët dhe familjet e tyre në Evropë.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa asnjë frikë”, tha Trendafilova
Një zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës i tha “Euronews”-it se raportimi ishte konfidencial dhe se transkripti ka qarkulluar aksidentalisht dhe ka qenë për përdorim të brendshëm të misioneve diplomatike. Nuk është e qartë se sa persona e kanë siguruar transkriptin