Në mëngjeset si ky që rrallë janë me diell, qyteti i Hagës zgjohet me tjetër disponim.
Zhurma e biçikletave në njërën anë, dhe e trenit në anën tjetër, japin shenjë për fillimin e një dite tjetër pune.
Për ata që zgjedhin të udhëtojnë me trenat që kanë numrat 1 dhe 9, kjo është vetëm një rutinë e ditës.
Lëvizja në anë krejt të kundërta të Hagës, këta dy trena nuk i përbashkon asgjë. Përveç një historie.
Pritja për trenin nuk është e gjatë. Njëjtë, sikur as rruga deri në destinacion.
Deri te stacioni që quhet “Worl Forum” të shoqëron veç qetësia e mëngjesit.
Në stacionin që për të gjithë ishte veç ndalesa e radhës, për dikënd ishte stacion i faqes së parë të historisë.
Në institucionin që dikur qëndronte Tribunali i Hagës, sot qëndron një tjetër institucion i Kombeve të Bashkuara.
Pamja e objektit ishte e njëjtë, por zhvillimet brenda dallojnë shumë.
Aty ku ka qindra flamuj, mungonte ai i Kosovës.
Brenda hyrjes së këtij objekti, dikur kishte shumë nga Kosova. Pas akuzave ndaj Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt për krime të luftës, Haga u kthye në qendër të vëmendjes.
Por, dy ish-eprorët e UÇK-së, dolën të pafajshëm. Madje, Haradinaj, dy herë.
Me trenin me numër 1, është krejt i lehtë kthimi nga ish-Tribunali për në qendër të Hagës.
Dy staciona më tutje, rrugës për në qendër, në rrugën e trenit të njëjtë, atij me numrin 1, ishte shkruar një tjetër faqe e historisë së Kosovës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, në korrik të vitit 2010 konstatoi se Kosova nuk shkeli asnjë legjislacion ndërkombëtar.
Objekti i bukur nga jashtë, i kthyer në atraksion turistik për mijëra persona, aso kohe, ishte kthyer në qendrën e vëmendjes për Kosovën.
GJND-ja, njëherë e përgjithmonë, do ta konfirmonte se pavarësia e Kosovës, nuk e ka cenuar asnjë ligj e praktikë ndërkombëtare.
Vendimi i GJND-së, nxiti një tjetër luftë të Serbisë kundër Kosovës. Atë të akuzave për trafikim të organeve nga UÇK-ja. Atë që e nisi ish-prokurorja Carla del Ponte në librin e saj, e vazhdoi senatori rus Konstantin Kosachev, e finalizoi Dick Marty me raportin e tij të famshëm.
Por, edhe pse ish-kryeprokurori Clint Williamson, konfirmoi se nuk ka prova për trafikim të organeve, presioni ndërkombëtar shtyu në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Një Gjykate Speciale që do të hetonte krimet e pretenduara të luftës, nga udhëheqës e pjesëtarë të UÇK-së.
Edhe selia e kësaj Gjykate të quajtur Speciale, u vendos në Hagë.
Prej ish-Tribunalit e GJND-së, objekti i Speciales nuk gjendet larg.
Megjithatë, rruga duhet të bëhet me një tjetër tren. Kësaj radhe, me një tjetër numër.
Ai me numër 9, të çon deri në derën e objektit të Gjykatës Speciale.
Aty ku për 2 vjet gjykim, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, shkuan gati përditë.
Katërshja e UÇK-së që akuzohet për krime të luftës, u arrestua qysh prej nëntorit të vitit 2020.
Pa pasur mundësi të lirohen asnjëherë nga paraburgimi, me gjykim intensive 2023-2025, Haga sërish u kthye në qendër të vëmendjes për Kosovën.
Kësaj radhe, për një tjetër proces gjyqësor.
Rruga nga Qendra e Paraburgimit deri te Gjykata, nuk është larg. Mirëpo, edhe atje, duhet të shkosh me trenin me numër 9.
Por, për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, kjo rrugë bëhet me veturat e Speciales me xhama të zinj.
Qendra e Paraburgimit ku dikur qëndruan Haradinaj e Limaj, e tash Thaçi e të tjerët, ndodhet jo larg Scheveningenit të Hagës.
Qetësia e detit atje, prishet nga era e forte që fryen jo rrallë. E deti i Scheveningenit që kryqëzon rrugën e trenave 1 dhe 9, mbetet të shihet nëse në të ardhmen do ta bashkojë historinë e Kosovës.
Nga Tribunali i Hagës e GJND-ja në njërën anë, me drejtësinë e Gjykatës Speciale në anën tjetër.
Mbyllje; efekte zhurma e trenave, bicikletat, emrat e stacioneve, Lirohen.