Tregu i punës në vendnumëro, të rinjtë më të goditurit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e fundit mbi tregun e punës për tremujorin e dytë të vitit 2024, duke dhënë një pamje që mund të tingëllojë optimiste në letër, por që në realitet fsheh probleme serioze dhe dështime të vazhdueshme të politikave për punësim, shkruan Demorkacia.com.

Papunësia mbetet e pandryshuar në 10.7%, ndërsa shkalla e punësimit shënon një rritje të papërfillshme prej 2.5% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, nëse lexohen mes rreshtave, të dhënat zbulojnë një realitet shumë më të zymtë: në periudhën e fundit, Kosova ka humbur mbi 7600 vende pune, ndërsa mbi 87,000 persona më pak janë aktivë në tregun e punës. Kjo është një katastrofë e heshtur që po maskohet pas shifrave “të stabilizuara”.

Një nga treguesit më alarmantë në raport është shkalla e papunësisë tek të rinjtë (15-24 vjeç), e cila ka pësuar një rritje dramatike prej 5%, duke arritur në 21.2%. Kjo shifër është një dëshmi e qartë e dështimit të institucioneve për të krijuar mundësi reale për gjeneratat e reja, të cilat po detyrohen të braktisin vendin për shkak të mungesës së perspektivës.

Ndërkohë, pavarësisht “rritjes” së lehtë të punësimit për gratë, shifrat vazhdojnë të jenë skandaloze: vetëm 20.8% e tyre janë të punësuara, ndërsa shkalla e joaktivitetit tek gratë mbetet e frikshme, 75%. Kjo tregon se gratë vazhdojnë të jenë jashtë tregut të punës dhe një politikë serioze për integrimin e tyre ekonomik mungon krejtësisht.

Raporti tregon se sektori i tregtisë, ndërtesave dhe prodhimit vazhdon të mbetet burimi kryesor i punësimit, por nuk adreson thelbin e problemit: kushtet e punës, siguria, kontratat e rregullta dhe pagat e dinjitetshme. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve të punës janë të pasigurta dhe me paga minimale, duke mos i dhënë asnjë siguri sociale punëtorëve.

Raporti: https://ask.rks-gov.net/Releases/Details/8559

Përderisa ASK i prezanton këto të dhëna si “progres”, realiteti për shumë qytetarë mbetet i njëjtë: papunësi, pagat e ulëta, dhe mungesë perspektive. Raportet statistikore nuk mund të fshehin faktin se Kosova vazhdon të dështojë në krijimin e një tregu të shëndoshë të punës, ku qytetarët mund të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet. Shifrat mund të rregullohen në letër, por realiteti nuk mund të zbukurohet për ata që përballen me papunësinë çdo ditë. /Demokracia.com/