Tre të vrarë në Gjilan, Policia shpall në kërkim të dyshuarin për vrasje

Tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri të dielën në mesditë në Gjilan, kanë konfirmuar Policia e Kosovës dhe Spitali i Përgjithshëm i qytetit.

Sipas Policisë, fillimisht është konstatuar vdekja e dy personave në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ndërsa dy të plagosur janë dërguar në Qendrën Emergjente të Gjilanit. Më vonë, nga Spitali është bërë e ditur se një person ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë janë sjellë në Emergjencë pa shenja jete. Një i plagosur është transferuar për në QKUK dhe një tjetër është pranuar në repartin e Ortopedisë. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

I dyshuar për vrasjet është Mefail Shkodra, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Autoritetet kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij dhe kanë publikuar një fotografi të të dyshuarit. Në njoftimin zyrtar thuhet se kushdo që ka informacion për vendndodhjen e tij duhet të lajmërojë Policinë në stacionin më të afërt, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, në adresën elektronike [email protected], ose në numrat 192 dhe 03850807001.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet relevante policore dhe prokurori i shtetit.