Tre të dyshuarit që u kapën me një milion euro ‘cash’ në pikëkalimin kufitar të Merdares, njëri prej tyre oficer i Policisë së Shqipërisë, enden sot të lirë në Shqipëri edhe pse Gjykata e Apelit vendosi për paraburgimin e tyre. Vendimi mezi erdhi, më shumë se tri javë pas tentim-kontrabandimit të një milion eurove. Por, sfidë mbetet ekzekutimi i kësaj mase.
Masa e sigurisë e vendosur me vonesë ndaj tre shtetasve shqiptarë Aurel Kaziu, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj, mund t’i kushtojë rëndë autoriteteve kosovare.
Të tre dyshohen për shpëlarje parash në një nga rastet që ka zgjuar shumë kuriozitet në opinionin publik. Atë të tentimit të kontrabandimit të një milion eurove në formë kesh përmes një automjeti që po hynte nga territori i Serbisë në atë të Kosovës më 24 shkurt.
Megjithatë, rasti mund të mos zbardhet kurrë ose, në rastin më të mirë, të vonojë shumë më gjatë sesa zakonisht.
Kjo si pasojë e veprimeve të dyshimta të ndërmarra nga një zinxhir institucionesh.
Në qendër të kontestimeve ndodhet Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe gjyqtari Leon Përlaska, i cili në dy raste vendosi t’i lironte tre të dyshuarit me arsyen se prokurorja e rastit nuk e kishte provuar bazën e dyshimit ndaj të dyshuarve.
Pasi janë lënë të lirë nga ndalimi, tre të dyshuarit janë larguar nga Kosova për në Shqipëri, kanë pranuar avokatët mbrojtës të tre të dyshuarve në biseda të ndara telefonike me Paparacin të enjten.

Largimi i tre të dyshuarve drejt Shqipërisë mund të ndërlikojë edhe më tepër procesin tashmë kompleks.
Në rast se ata nuk kthehen vullnetarisht në Kosovë, ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit, i marrë të mërkurën, do të bëhej e pamundur derisa nuk do të fillonin procedurat e ekstradimit nga autoritetet shqiptare, i vetmi mekanizëm autoritetet kosovare kanë në dispozicion për t’i sjellë të dyshuarit në paraburgim.
Ekstradimi kërkon përfshirjen e më shumë institucioneve, përfshirë ministrive të dy shteteve përkatëse dhe organeve të tjera në të dyja vendet. Në fund, ai mund të mos ndodhë në rast se kërkesa nuk ka prova të mjaftueshme.
Avokati Betim Shala që mbron oficerin e Policisë së Shtetit në Shqipëri, Aurel Kaziun, i tha Paparacit se do ta sfidojë vendimin e Gjykatës së Apelit, edhe pse vendimi i kësaj shkalle të gjykatës është i formës së prerë për palët.
“E kam pranuar vendimin dhe do të bëjmë ankesë kundër tij”, deklaroi avokati dhe konfirmoi se aktvendimi i të mërkurës nga Gjykata e Apelit nuk është ekzekutuar edhe një ditë pas shpalljes së tij.
“Klienti im ndodhet në Shqipëri”, pranoi Shala.
Edmir Ahmaxhokaj ka shprehur gatishmëri që të dorëzohet te autoritetet kosovare, paralajmëroi avokati i tij Fitim Bunjaku.
Bunjaku nuk i tregoi gazetës se kur klienti i tij është gati të dorëzohet.
“Vendimi për paraburgosje nuk është ekzekutuar, nuk po besoj.. më herët bisedova me Edmirin, ai është në Shqipëri edhe nëse kërkohet me u dorëzu, ai ka me u dorëzu”, tha avokati në një bisedë telefonike me Paparacin. “Prej ditës të parë ai ka shpreh gatishmëri me bashkëpunu me të gjitha organet”.
Edhe Adelina Imeri-Hasani, mbrojtësja e të dyshuarit Ardit Laska, tha se e ka pranuar vendimin e Apelit dhe se do të parashtrojë kërkesë për vlerësim të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
“Po e kam pranu vendimin e Apelit dhe ankesë do të bëjmë gjithsesi”, paralajmëroi ajo.
Edhe Imeri-Hasani tha se klienti i saj është i gatshëm “të bashkëpunojë” me autoritetet, edhe pse vendimi i Apelit nuk është ekzekutuar ende.
“Ai është në vendlindje Shqipëri”, tregoi avokatja.
Aurel Kaziu, Ardit Laskaj dhe Ardit Ahmaxhokaj ishin arrestuar nga policët kufitarë më 24 shkurt pasi doganierët në pikëkalimin kufitarë të Merdarës i kishin gjetur një milion euro kesh të padeklaruara në një furgon me të cilin po udhëtonin ata.
Tre të dyshuarit ishin ndaluar me urdhër të prokurores Shenaj Berisha.
Sipas përshkrimit të Prokurorisë Speciale në dosjen e rastit, një milion euro kesh ishin vendosur në një “bunker të improvizuar” brenda furgonit. Të njëjtit po dyshohen për “shpëlarje të parave”. /Paparaci.com










