Tre të arrestuar për posedim dhe shpërndarje të drogës në Prishtinë

Në kuadër të operacioneve për luftimin e shpërndarjes së narkotikëve, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit, në rrugën “Vatra” të lagjes “Tophane” në Prishtinë, kanë arrestuar tre persona.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ata akuzohen për veprat penale blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar 4.9 gramë kokainë, një sasi e parave të valutave të huaja, peshore e vogël digjitale, 17 qese të vogla me kokainë 4.4 gramë, dy qese me kokainë 45.9 gramë, 7 qese me kokainë 1.7 gram, dy telefona mobilë, tri qese me kokainë 10.8 gramë dhe nëntë fishekë, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Prokurori i Shtetit në përputhje me afatin ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të veprave penale.