Komuna e Prishtinës po e lë gjithnjë e më shumë fatin e buxhetit publik në sallat e gjykatave. Humbjet milionëshe nga rastet e humbura po shndërrohen në një barrë të rëndë për kryeqytetin, me kosto që tashmë tejkalojnë planifikimin buxhetor, shkruan Demokracia.com.
Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, korrik- shator, Komuna e Prishtinës ka ngarkuar buxhetin publik me mbi 9 milionë euro detyrime nga rastet e humbura gjyqësore, duke iu afruar shifrës që ishte paguar për një periudhë të tërë 12-mujore në vitin paraprak, kur humbjet totale kishin arritur rreth 10 milionë euro. Të dhënat zyrtare të raportit qe i ka parë Demokracia.com, financiar tregojnë një përshpejtim alarmues të kostos së proceseve gjyqësore, kryesisht të lidhura me zbatimin e kontratës kolektive, e cila vazhdon të prodhojë pasoja të rënda financiare për kryeqytetin.

Në raportin e TM3-2025, detyrimet kontingjente nga Zyra e Përfaqësimit Juridik dalin si një nga rreziqet më serioze për stabilitetin buxhetor të komunës. Ndryshe nga viti i kaluar, kur humbjet u shpërndanë përgjatë gjithë vitit fiskal, këtë herë barra financiare është përqendruar brenda vetëm tre muajve.
Shpenzim në fundvit, por jo në kategori të barabarta
Krahas humbjeve në gjykata, raporti financiar tregon se shpenzimet në tremujorin e tretë të vitit 2025 kanë qenë dukshëm më të larta në disa kategori krahasuar me vitet paraprake, veçanërisht korrik- shtator. Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë lineare në të gjitha zërat buxhetorë. Ndërsa shpenzimet për paga, mallra e shërbime dhe subvencione kanë mbetur relativisht të ngjashme me vitin 2024, investimet kapitale kanë shënuar një luhatje të theksuar, me nivel ekzekutimi dukshëm më të ulët krahasuar me planifikimin vjetor.
Në praktikë, kjo do të thotë se Komuna ka shpenzuar më shumë para për të mbuluar humbje gjyqësore dhe obligime të trashëguara, sesa për projekte zhvillimore dhe investime konkrete në terren. Vetë raporti tregon se shpenzimet kapitale në TM3-2025 janë realizuar vetëm në një përqindje të vogël të planit vjetor, duke e zhvendosur peshën e buxhetit nga zhvillimi në menaxhimin e krizave ligjore.

Dyfishim i rrezikut buxhetor
Krahasimi mes dy periudhave 12 muajt e vitit të kaluar kundrejt vetëm tre muajve të fundit të vitit 2025 nxjerr në pah një disproporcion serioz, se nëse trendi aktual vazhdon, humbjet nga gjykatat mund të tejkalojnë ndjeshëm çdo vit paraprak. Kjo e vendos Komunën e Prishtinës përballë një rreziku të dyfishtë, nga njëra anë, dëmtohet buxheti publik, nga ana tjetër, ngadalësohet realizimi i projekteve kapitale që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Raporti financiar për TM3-2025 e bën të qartë se çështja e kontratës kolektive dhe mënyra se si është trajtuar juridikisht është një barrë strukturore financiare, e cila po e gërryen buxhetin e kryeqytetit me një ritëm të paprecedentë. /Demokracia.com/













