Për tetë-nëntë muaj me radhë po angazhohej në lloj-lloj truqesh dhe marifete procedurale për të vonuar themelimin e legjislaturës së re: prej votimit të fshehtë për Albulena Haxhiut dhe këmbënguljen në këtë format votimi nga Avni Dehari për mbi 60 seanca që s’votohej edhe pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar dy herë.
Albin Kurti, gjatë tërë kësaj kohe, shprehej se gjendja institucionale është në rregull: Kosova ka qeveri dhe shtet “si asnjëherë” më parë anipse Qeveria e Kosovës është veçse në kapacitet kujdestar, “në detyrë”. Dhe, ndonëse është në detyrë, shprehej Kurti, “unë nuk kam punë më pak, veç kompetenca më pak”.
Por, e tëra kjo s’paraqiste problem, sepse, siç shprehej ai, do të duhej të ishte brengosëse për partitë ish-opozitare, të cilët “po më lënë pa mbikëqyrje”. Sa për shtetin si shtet, Albin Kurti i thoshte intervistuesit të tij në Teve1 se i kishte krejt konstatimet gabim, që Kosova nuk paska institucione.
“Ju thatë s’ka institucione, kështu that. Unë po të them që ka institucione, ka shtet. Qeveria në detyrë nuk ka më pak punë. Pastaj ka polici që funksion gjithandej, cep më cep, si asnjëherë më parë. Ka ushtri më të fortë se kurrëmë parë. Ka AKI. Nuk ka kuvend. Ndërkohë më kanë mua kryeministër. Kosova ka qeveri”.
Kështu Albin Kurti i Vetëvendosjes, moskrijimin e qeverisë së re, e jepte për ‘punë e tyre’ dhe se, sidoqoftë, Kosova ka qeveri dhe shtet që po funksion fare njësoj me punë-si-gjithmonë. Kur afati kushtetues e nxori për t’u zgjedhur, ai s’pati vota, dhe doli të kërkojë vota të ish-opozitës, që t’ia vazhdojnë mandatin. Arsyetimi i kërkimit të votave? Kosova është në rrezik të jetë pa institucione, buxhet dhe funksionim të shtetit.
Për herë të parë në histori të vendit, një mandatar për formim të qeverisë së re, ia mësyu Kuvendit të Kosovës dhe të paraqesë kabinet qeveri, pa i pasur vota; dhe duke kërkuar nga ish-opozita t’ia vazhdojnë mandatin: anomali e demokracive parlamentare kjo, e në veçanti kur kjo gjë e tillë vinte pa marrëveshje politike. Arsyet i pati, të kundërtat me çka shprehej para dy muaje: se rrezikohet ecuria funksionale e shtetit.
“Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa shumë institucione funksionale, dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publik, pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, furnizimit me barna, funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë, por edhe të shumë projekteve kapitale që janë në proces e sipër. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara.”
“Në mungesë të një Kuvendi funksional gjatë këtyre muajve, janë edhe 33 agjenci dhe institucione të pavarura shtetërore që kanë mbetur pa mbikëqyrje institucionale. Kjo ka krijuar vakum drejtues, vonesa në vendimmarrje dhe rrezik në zbatimin e politikave publike. Ngjashëm, çdo ditë pa qeveri me kompetenca të plota është një ditë humbje për zhvillimin, për qytetarin dhe për shtetin.”
“Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë, të cilën nuk e kanë votuar si legjislaturë e re”, tha Albin Kurti para deputetëve.










