Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme nga Barcelona për të mposhtur Benfikën 1-0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, veçanërisht duke marrë parasysh që skuadra e Hansi Flick u detyrua të luante më shumë se 10 minuta me 10 lojtarë, pasi Pau Cubarsí mori karton të kuq herët për një faull si lojtar i fundit ndaj Vangelis Pavlidis.
Goli i shënuar nga Raphinha në pjesën e dytë siguroi që Barcelona të nisë ndeshjen e kthimit të martën në Estadi Olímpic Lluís Companys me një avantazh minimal prej një goli, megjithatë, paraqitja në Lisbonë nuk erdhi pa pasoja.
Alejandro Balde pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes dhe do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, ndërsa Marca raporton se dy lojtarë të tjerë e përfunduan takimin në Estádio da Luz me probleme fizike.
Iñigo Martínez pësoi një goditje në këmbë gjatë pjesës së parë – e cila mbeti e pandëshkuar, dhe për shkak të ankesave të tij, mbrojtësi veteran u ndëshkua me karton të verdhë nga arbitri Felix Zwayer. Ai ende po vuan pasojat e kësaj goditjeje dhe mund të pushohet ndaj Osasunës të shtunën për të qenë 100% i gatshëm për ndeshjen e kthimit.
Raportet thonë gjithashtu se Pedri ka pasur shqetësime muskulore dhe nuk pritet të rrezikohet kundër Osasunës. Hansi Flick pritet të bëjë ndryshime të mëdha për përballjen në La Liga në Estadi Olímpic, ku në formacionin titullar mund të përfshihen lojtarë si Marc Casado, Eric García, Gerard Martín, Gavi dhe Ferran Torres përballë Los Rojillos.