Trump thotë se presidenti i Sirisë është i tronditur dhe i zemëruar pas sulmit të ISIS-it.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pas vrasjes së tre amerikanëve në Siri, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë të ISIS ndaj SHBA-ve.
“Të trishtuar, nderojmë humbjen e tre patriotëve të mëdhenj amerikanë në Siri, dy ushtarë dhe një përkthyes civil”, shkroi Trump, duke shtuar se tre ushtarët e tjerë të plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas presidentit amerikan, sulmi ndodhi në një zonë “tejet të rrezikshme të Sirisë”, që nuk është plotësisht nën kontrollin e autoriteteve siriane.
Trump theksoi se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, është “jashtëzakonisht i zemëruar dhe i tronditur” nga ngjarja.
“Ky ishte një sulm i ISIS kundër Shteteve të Bashkuara. Do të ketë hakmarrje shumë serioze”, paralajmëroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e përgjigjes amerikane.
Deklarata e tij vjen pas konfirmimit nga Pentagoni se dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil u vranë në një pritë të armatosur.











