Nga të dhënat e mbledhura deri në fund të vitit 2025, lindjet me prerje cezariane po bëhen më të shpeshta se lindjet natyrale në disa rajone, si në Angli, ku në periudhën 2024-2025 rreth 45% e lindjeve ishin me operacion, kundrejt 44% lindjeve spontane. Ky trend lidhet kryesisht me rritjen e moshës së nënave, obezitetin dhe shtatzënitë më komplekse.
Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) thekson se norma globale e lindjeve me prerje cezariane është rreth 21%, me projeksion që të arrijë në 29% deri në vitin 2030, duke nënvizuar se këto ndërhyrje shpëtojnë jetë kur janë të nevojshme, por bartin rreziqe kur kryhen pa arsye mjekësore.
Të dhënat tregojnë se lindjet vaginale zakonisht ofrojnë rikuperim më të shpejtë, ndërsa prerjet cezariane rrisin rrezikun e komplikimeve në shtatzënitë e ardhshme. Normat ndryshojnë ndjeshëm nga vendi në vend, me Australinë që ka shënuar rreth 41% lindje me prerje cezariane në vitin 2023 dhe Shtetet e Bashkuara rreth 33%.
Sipas mamisë britanike, Donna Ockenden, faktorë të ndryshëm si mosha e nënave dhe përvojat traumatike të lindjeve të mëparshme po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjen e kësaj metode.
“E dimë që mosha e nënës po rritet, shëndeti i dobët po rritet. Gjithashtu mendoj se përvoja e mëparshme do të luajë një rol”, tha mamia britanike, Donna Ockenden për BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Trauma e lindjes dhe lindja me prerje cezariane herën e parë, mund të ndikojnë në vendimin e tyre për të bërë një prerje cezariane herën e dytë”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, për të marrë një mendim nga profesionistët vendorë mbi këtë çështje, Klankosova.tv ka dërguar pyetje te 4 gjinekologë, por asnjëri nga ta nuk ka pranuar të përgjigjet.
Për temën ka folur mamia Razije Musa, e cila për Klankosova.tv tha se rritja e numrit të lindjeve me prerje cezariane po vjen sepse “të rejat tona nuk kanë kaluar nëpër këshillimore ku i marrin informatat e duhura për pasojat”.
“Poashtu, edhe informatat që marrin nga njëra-tjetra, të cilat rezultojnë në shtimin e frikës për lindjet notmale”, tha Musa për Klankosova.tv.
Sipas saj, nëse lindja me prerje cezariane është nën kontrollin e mjekut, atëherë nuk ka rrezik. Por, ajo shton se “lindja e parë preferohet lindje normale, për atë arsye shtatzanat duhet të shkojnë në këshillimore, me kontaktu me mamia profesionale”, shton ajo.
Perceptimi i Cezarianes – cili është ndikimi psikologjik?
Frika dhe ankthi nga lindja me cezariane mund të shkaktojnë pasiguri dhe tension të shtuar për gruan, duke e bërë procesin e lindjes më të vështirë dhe më të dhimbshëm.
Sipas Rrezarta Sadiku, psikologe, këto emocione mund të rrisin ndjeshëm stresin dhe të ngadalësojnë procesin e rikuperimit pas lindjes.

“Rrit tensionin dhe lodhjen emocionale, ndikon në gjumin para lindjes, mund të ulë vetëbesimin e nënës. Shton ndjenjën e pasigurisë, mund të vështirësojë adaptimin pas lindjes. Nga këndvështrimi psikologjik, presioni social ndikon sepse: rrit frikën dhe ankthin ndaj lindjes natyrale, krijon nevojë për kontroll dhe siguri, ul besimin te trupi i gruas, dhe e normalizon cezarianen si zgjedhje ‘më e lehtë’. Si pasojë, vendimi shpesh merret për të shmangur frikën, jo domosdoshmërisht nga nevoja mjekësore”, deaklaroi Sadiku.
Ajo shton se lindja cezariane, jo vetëm që ndikon në shëndetin emocional të nënës, por ajo mund të ndikojë gjithashtu në lidhjen fillestare me fëmijën, duke e bërë këtë periudhë të jetës më të vështirë për gruan dhe beben e saj.
“Frika dhe ankthi nga lindja me cezariane rrisin stresin, e bëjnë dhimbjen të ndihet më e fortë dhe mund të ngadalësojnë rikuperimin. Ato mund të ndikojnë edhe në gjendjen emocionale pas lindjes dhe në lidhjen fillestare me bebin. Informimi dhe mbështetja e ulin ndjeshëm ankthin”, shtoi ajo.
Sadiku ndër tjerash thekson se, perceptimi negativ për lindjen natyrale rrit frikën dhe ankthin gjatë shtatzënisë.
“Perceptimi negativ për lindjen natyrale rrit frikën dhe ankthin gjatë shtatzënisë. Ankthi i vazhdueshëm ndikon në stres emocional, pasiguri dhe humbje të besimit te trupi. Kjo gjendje rrit rrezikun për vështirësi emocionale pas lindjes, si ankth apo humor i ulët. Ndikimi përforcohet nga historitë frikësuese dhe presioni social. Në thelb, sa më negativ të jetë perceptimi, aq më i ndjeshëm bëhet shëndeti mendor i gruas para dhe pas lindjes”, tha Sadiku për Klankosova.tv.

Një nënë që ka lindur me prerje cezariane në një nga institucionet shëndetësore në vend, D.Sh, për Klankosova.tv shprehet se e ka zgjedhur këtë mundësi për shkak të frikës nga dhimbja e lindjes natyrale.
“Kam zgjedhur të lind me prerje cezariane, pasi lindjen normale e kam mendu si proces shumë të vështirë”, tha ajo.
Sipas saj, mbështetja e mjekëve dhe infermierëve ka qenë shumë e rëndësishme gjatë procesit, ndërsa praninë e burrit e ka konsideruar një ndihmë të madhe psikologjike
Këshillë për gratë
D.Sh. u bëri thirrje grave që të bëjnë zgjedhjen që i bën të ndihen më rehat dhe të mos lejojnë të ndikohen nga të tjerët.
“Gratë duhet të vendosin vetë për atë që mendojnë që është më e mira për to dhe bebin e tyre dhe të mos dëgjojnë opinionet e të tjerëve”, përfundon ajo.

Të dhënat më të fundit nga Sistemi Nacional Shëndetësor i Britanisë së Madhe për vitet 2024-25 tregojnë se 45% e lindjeve në Britani kanë qenë me prerje cezariane, krahasuar me 44% që janë spontane, apo lindje natyrale vaginale. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre lindjeve, pothuajse gjysma, ishin planifikuar paraprakisht, duke treguar një tendencë për t’u preferuar kjo metodë kirurgjikale.
Cilat janë ndërlikimet për secilën metodë?
Komplikimet mund të lindin me të dy llojet e lindjes, por natyra dhe koha e këtyre rreziqeve ndryshojnë, shkruan Roswell Ob/Gyn, transmeton Klankosova.tv.
Lindja vaginale mund të rezultojë në:
- Këputje perineale, veçanërisht në lindjet e para ose kur foshnja është në një gamë më të lartë peshe lindjeje
- Mosfunksionim i dyshemesë pelvike, i cili mund të ndikojë në kontrollin e fshikëzës dhe zorrëve
- Inkontinencë urinare afatshkurtër ose kronike në disa raste
Komplikimet me prerje cezariane mund të përfshijnë:
- Infeksion në vendin e prerjes, i cili kërkon monitorim dhe kujdes të plagës
- Formimi i ngjitjeve (indeve të mbresës së brendshme) që mund të ndërlikojnë operacionet e ardhshme
- Lëvizshmëri e vonuar dhe kohë më e gjatë shërimi
Pavarësisht nëse po planifikoni një lindje vaginale, apo merrni në konsideratë një lindje cezariane, kujdesi dhe konsultimi i ekspertëve është i domosdoshëm. /Klankosova.tv










