Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar Raportin e Gjelbër 2025, dokumentin zyrtar që pasqyron gjendjen e sektorit bujqësor për vitin 2024 dhe efektet e politikave të zbatuara gjatë kësaj periudhe. Deri para pak muajsh, kjo ministri është udhëhequr nga Faton Peci, çka e bën raportin një pasqyrë të drejtpërdrejtë të rezultateve të mandatit të tij. Pyetja që del nga vetë shifrat e raportit është se cili ka qenë realisht impakti i politikave të ndjekura, tash kur bujqësia po financohet me miliona euro, por përballet me rënie të peshës ekonomike dhe varësi të vazhdueshme nga importi. Demokracia.com sjellë detaje të raportit të hartuar nga vet MBPZHR…
Miliona euro subvencione, por tregu mbetet i pushtuar nga importi
Raporti i Gjelbër 2025 i Ministrisë së Bujqësisë dëshmon se viti 2024 ka qenë një vit me mbështetje financiare të konsiderueshme për sektorin bujqësor, por njëkohësisht edhe një vit që ka thelluar varësinë e Kosovës nga importi i ushqimit. Sipas të dhënave zyrtare, importi i produkteve bujqësore ka arritur në 1.39 miliard euro, ndërsa eksporti ka mbetur në nivelin 170.8 milionë euro, duke krijuar një disproporcion të theksuar mes prodhimit vendor dhe konsumit real të tregut.
Në të njëjtën kohë, Ministria raporton se vetëm përmes Programit të Pagesave Direkte janë shpenzuar 66.5 milionë euro subvencione, ndërsa për grante investive janë planifikuar 19.6 milionë euro. Megjithatë, këto shifra nuk kanë reflektuar në ulje të importit, as në rritje të dukshme të eksporteve bujqësore. Përkundrazi, tregu vendor vazhdon të dominohet nga produktet e huaja, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e politikave mbështetëse.
Raporti nuk ofron shpjegim se pse një sektor që finançohet me dhjetëra miliona euro në vit nuk arrin të zëvendësojë as një pjesë domethënëse të importit ushqimor. Në këtë kontekst, del se subvencionet, ndonëse të shumta në vlerë, nuk po përkthehen në forcim të prodhimit vendor, por po mbeten kryesisht një instrument mbijetese për fermerët, pa ndikim të qëndrueshëm në bilancin tregtar të vendit.
Bujqësia financon më shumë, por humb peshë në ekonomi
Një tjetër kontradiktë e fortë që del nga Raporti i Gjelbër 2025 lidhet me rolin real të bujqësisë në ekonominë e Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja e bujqësisë në Bruto Produktin Vendor ka rënë nga 11.3 për qind në vitin 2008 në vetëm 7.3 për qind në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej rreth katër pikë përqindje brenda më pak se dy dekadave.
Kjo rënie ndodh pikërisht në një periudhë kur Ministria raporton rritje të prodhimit bujqësor, rritje të subvencioneve dhe rritje të kreditimit për sektorin. Vetëm vlera e përgjithshme e prodhimit bujqësor për vitin 2024 ka arritur mbi 1 miliard euro, çka në dukje sugjeron një sektor aktiv dhe në zhvillim. Megjithatë, këto shifra nuk po përkthehen në rritje të rolit ekonomik të bujqësisë.
Raporti vetë pranon se ekonomia e Kosovës po zhvendoset drejt sektorëve jo-bujqësorë, ndërsa bujqësia po mbetet gjithnjë e më pak një shtyllë reale zhvillimi. Kjo ngrit dyshime të forta mbi orientimin strategjik të politikave bujqësore, duke lënë të kuptohet se mbështetja financiare nuk po shoqërohet me reforma strukturore që do ta bënin bujqësinë konkurruese dhe me ndikim afatgjatë në ekonomi.
Fshati mbushet me banorë, por zbrazet nga puna dhe prodhimi
Raporti i Gjelbër 2025 nxjerr në pah një paradoks tjetër thelbësor për zhvillimin rural në Kosovë. Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, rreth 49.8 për qind e popullsisë jeton në zona rurale, duke treguar se fshati vazhdon të jetë hapësirë jetese për gjysmën e qytetarëve të vendit. Megjithatë, kur analizohen të dhënat për punësimin, vetëm 2.8 për qind e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë.
Ky hendek mes popullsisë rurale dhe punësimit bujqësor tregon se fshati po humb funksionin e tij ekonomik dhe prodhues. Raporti thekson se mbi 56.8 për qind e popullsisë në moshë pune është ekonomikisht joaktive, një shifër alarmante që reflekton mungesën e perspektivës ekonomike në zonat rurale.
Pra bujqësia sic duket nuk po shërben si shtyllë punësimi dhe zhvillimi për fshatin, por ajo po reduktohet në një aktivitet dytësor, shpesh informal dhe i paqëndrueshëm. Po ashtu, raporti nuk jep sqarime se si politikat aktuale të Ministrisë synojnë ta kthejnë këtë trend, duke lënë të hapur dyshimin se zhvillimi rural po trajtohet më shumë si çështje sociale sesa si projekt ekonomik i mirëfilltë.
Në tërësi, Raporti i Gjelbër 2025 paraqet një sektor që financon, por nuk forcohet proporcionalisht, që po prodhon, por nuk po dominon tregun dhe që mbështet fshatin, por nuk arrin ta kthejë atë në hapësirë punësimi dhe zhvillimi. /Demokracia.com/










