Një pasagjere 26-vjeçare ka mbetur e lënduar në kokë pasi u godit nga një gur i hedhur në drejtim të trenit në lëvizje në afërsi të fshatit Grabovc.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të ashpër nga kompania hekurudhore Trainkos, e cila e ka cilësuar incidentin si një akt “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm” që përbënë kërcënim serioz për jetën e udhëtarëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Trainkos, pasagjerja ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.
Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të identifikuar të përfshirët në këtë akt vandal.
“Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore,” thuhet në reagimin e Trainkos.
Trainkos dënon fuqishëm çdo formë dhune ndaj trenave dhe udhëtarëve dhe thekson se siguria e pasagjerëve dhe e stafit mbetet prioriteti i saj kryesor. Po ashtu, Trainkos është zotuar për bashkëpunim të ngushtë me autoritetet që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë.
Trainkos gjithashtu ka bërnë një apel publik ndaj qytetarëve, duke këruar që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore.
“NDALO MENJËHERË! Hedhja e gurëve ndaj trenave RREZIKON JETË!. Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik”, thuhet mes tjerash në reagimin e Trainkos.
Kompania u ka bërë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla.
“ Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish”.
Kompania u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacion për këto veprime, të njoftojnë menjëherë organet kompetente ose vetë Trainkos-in për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen.
“Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë,” përfundon reagimi. /Telegrafi/