Tragjeditë në punë “zgjojnë” institucionet, nisin aksionet pas tetë viktimave

Vetëm pasi tetë punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda 4 muajve të parë të vitit 2026, Inspektorati Qendror i Punës ka nisur sot një aksion të gjerë, por të vonuar, në të gjithë vendin.

Rastet e njëpasnjëshme fatale, kishin ngritur prej kohësh alarmin për mungesë të kontrollit dhe zbatimit të ligjit në terren.

Megjithatë, vetëm tani institucionet kanë vendosur të mobilizohen në shkallë të gjerë.

Aksioni, i cili pritet të zgjasë rreth dy javë dhe të përfshijë pothuajse të gjitha kapacitetet inspektuese, synon rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe respektimin e rregullave ligjore nga bizneset.

Por, kjo ndërhyrje vjen në një kohë kur bilanci i viktimave ka arritur në tetë persona vetëm nga janari deri më sot, 16 prill, raporton Paparaci.

Përfaqësues të punëtorëve kanë theksuar vazhdimisht se mungesa e kontrollit sistematik dhe tolerimi i shkeljeve ka krijuar një ambient të rrezikshëm për punëtorët, duke kërkuar veprime konkrete shumë më herët.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi ditë më parë tha se kjo situatë është tregues i qartë se standardet e sigurisë në punë nuk po respektohen në nivelin e duhur nga kompanitë.

Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi pronarët e kompanive, të cilët duhet të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët, në përputhje me ligjet në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Në të njëjtën kohë, Azemi ka kërkuar angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse, duke vënë theksin te roli i Inspektoratit të Punës.

Sipas tij, ky institucion duhet të jetë më rigoroz në mbikëqyrje dhe të shmangë çdo tolerim ndaj shkeljeve që rrezikojnë jetën e punëtorëve.

Edhe nga vetë sektori i ndërtimtarisë është pranuar se situata kërkon reagim urgjent.

Në një reagim u tha se humbja e punëtorëve vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026, përbën një tregues serioz dhe një thirrje të qartë për veprim të menjëhershëm në drejtim të forcimit të zbatimit të standardeve të sigurisë në çdo vendpunishte, pa përjashtim.

Tutje, në reagim theksohet se fokusi duhet të orientohet në mënyrë të qartë drejt zbatimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe përgatitjes së plotë teknike dhe organizative të çdo kantieri ndërtimor, në përputhje me legjislacionin dhe normat profesionale në fuqi.

Ndërkohë, statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë një rritje të vazhdueshme të rasteve që lidhen me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës ndër vite.

Paparaci ka siguruar të dhënat e PK-së nga Neni 358 “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Aksioni i Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, ka nisur mëngjesin e së enjtes, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus në sektorët me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria dhe aktivitetet e ngjashme.

U.d. i drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, tha se aksioni do të zgjasë 15 ditë dhe do të shtrihet në gjithë vendin.

“Siç e dini jemi në zbatim të vendimit të Ministrit të Punës, zotit Andin Hotit dhe mandatit ligjor të Inspektoratit Qendror të Punës. Sot fillon një aksion 15 ditor në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ky aksion përveç tjerash është edhe në kuadër të mandatit tonë ligjor siç edhe e dini ju, dhe një aksion i tillë domethënë me shtrirje të tillë territoriale në të gjithë shtetin dhe me 90% të angazhimit të kapaciteteve tona të burimeve njerëzore dhe logjistike sipas të gjitha gjasave bëhet ndoshta për herë të parë në kuadër të këtij institucioni”, tha ai.

Ai theksoi se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të rregullave ligjore nga bizneset dhe përmirësimi i kushteve të sigurisë për punëtorët.

“Qëllimi ynë është që të ushtrojmë autoritet në kuadër të mandatit ligjor për punën tonë që e kemi të përcaktuar me përshkrim të detyrave. Duhet kuptuar që bizneset, subjektet afariste, për ne janë partnerë. Por partneriteti ka detyrime dhe obligime. Por ka edhe respekt të parimeve dhe normave ligjore që duhet t’i bëjmë ne si shtetas. Në kuadër të kësaj ne po përpiqemi që të ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet rregulli i qartë në respektimin e kushteve të sigurisë së punës për të gjithë shtetasit tanë. Në përgjithësi sot fillon aksioni në tre rajone ose pjesë të Republikës së Kosovës. Me gjasë që do të fillohet në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Fushë Kosovë, por kjo do të jetë domethënë në varësi të planit operativ që e kemi organizu si institucion dhe si kolegë domethënë me koordinimin e të gjithë akterëve tjerë dhe të ministrisë”, tha ai.