Pas rastit tragjik të ndodhur në Maqedoni të Veriut, gjegjësisht në komunën Koçan, ku së paku 59 persona vdiqën nga zjarri që shpërtheu në një klub nate atje, Kosova ka nisur inspektimin e objekteve të cilat frekuentohen nga shumë njerëz.
Tash e dy ditë, Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave, me mbështetjen e Policisë së Kosovës ka filluar inspektimet në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.
Përmes një postimi në Facebook, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se inspektimet të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë, do të zhvillohen në vazhdimësi në të gjithë vendin.
“Është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët”, shton Sveçla.
Ministri tha se në rast të mosrespektimit të sigurimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet dhe nuk do lejojmë të rrezikohet në asnjë formë”, shkroi ministri.