Tragjedia në Koçan: Nga magazinë qilimash në diskotekë të katastrofës

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka deklaruar të dielën se diskoteka “Pulse” ka funksionuar me licencë të falsifikuar.

Një ndërtesë e vjetër, dikur magazinë qilimash, mori jetën e 59 personave. Diskoteka “Pulse” funksiononte si hapësirë argëtimi për të rinjtë, pavarësisht kushteve të papërshtatshme, deri në momentin e tragjedisë që tronditi Maqedoninë e Veriut.

Ky objekt në qytetin e Koçanit, në bazë të raportimeve, ka kaluar disa herë në duar të pronarëve të ndryshëm. Ajo kishte qenë një depo e thjeshtë, pa infrastrukturën e nevojshme për ngarkesën e njerëzve dhe aktiviteteve që ndodhnin brenda saj.

E pavarësisht kushteve të papërshtatshme, diskoteka “Pulse” ka vazhduar të operojë. Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka deklaruar të dielën se diskoteka “Pulse” ka funksionuar me licencë të falsifikuar.

Të paktën 59 persona humbën jetën në orët e hershme të mëngjesit, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 1.500 pjesëmarrës. Gjithashtu, mbi 155 persona janë plagosur. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se zjarri ka shpërthyer për shkak të mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi.

Kjo tragjedi ka tronditur jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe fqinjët e saj rajonalë, duke lënë një shenjë të thellë dhimbjeje dhe solidariteti. Kosova, Shqipëria dhe Serbia kanë shprehur gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e nevojshme, duke qëndruar pranë qytetarëve dhe liderëve të Maqedonisë së Veriut në këtë moment të vështirë.