Tragjedia në Koçan: Nga 178 të plagosurit, 101 pacientë po trajtohen jashtë shtetit

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve në institucionet brenda dhe jashtë vendit, konform procedurave të përcaktuara për raportim nga qendrat mjekësore jashtë vendit.

Kjo ministri ka njoftuar se të gjithë pacientët trajtohen në mënyrë adekuate dhe marrin kujdes mjekësor të nivelit të lartë 24 orë në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.

“Nga gjithsej 178 të lënduar, aktualisht në objektet shëndetësore publike në vend po trajtohen 64 pacientë, të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 13 pacientë po trajtohen në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po trajtohen në qendrat mjekësore të huaja”, thuhet në njoftim.

Ministria tha se në Austri, nga gjithsej gjashtë pacientë që ishin në terapi intensive, një pacient është transferuar në repart, ndërsa të tjerët janë në gjendje më të rëndë, por të qëndrueshme, ndërkaq në Lituani, katër pacientë janë ende në terapi intensive, të cilët aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme.

“Në spitalin e Bullgarisë janë shtruar gjithsej 15 pacientë, nga të cilët shtatë janë intubuar dhe 6 i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, me hemodinamikë të qëndrueshme dhe dy kanë nisur të lëvizin sot”.

“Në Slloveni në Qendrën Klinike Universitare në Lubjanë janë shtruar dy pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, me përmirësim të lehtë që nga dita e djeshme. Në Greqi, nga gjithsej 12 pacientë, dy janë në gjendje kritike, por të qëndrueshme për momentin, tre prej të cilëve i janë nënshtruar operacionit. Në Athinë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm pacientë të rinj, të cilët janë shtruar në spital dhe janë nën vëzhgim”.

“Në Belgjikë dhe Itali janë shtruar në spital 4 pacientë dhe të gjithë janë stabil. Dy pacientë në gjendje të rëndë por stabile janë shtruar në spital në Kroaci dhe janë duke u bërë analiza shtesë për tre pacientët e rinj të ardhur. Gjithashtu, në Poloni po trajtohen edhe dy pacientë, njëri prej të cilëve është ekstubuar dhe tjetri në terapi intensive. Sot po zhvillohen aktivitete përgatitore për transportin e dy pacientëve në Suedi”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj ministrie./Alsat.mk