Tragjedia në Koçan – arrestohen edhe 23 persona të tjerë

Pas tragjedisë që goditi qytetin e Koçanit më 16 mars, kur një zjarr përfshiu një klub nate dhe la pas vetes 61 viktima dhe mbi 200 të plagosur, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar me arrestimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Sot, policia ka arrestuar edhe 23 persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në operimin ilegal të klubit “Pulse”, duke e çuar në 56 numrin total të të ndaluarve. Në mesin e të arrestuarve janë tre ish-ministra të Ekonomisë dhe figura të rëndësishme të Drejtorisë së Mbrojtjes Civile, përfshirë një ministër aktual pa portofol, i angazhuar në Strategjinë për Përfshirjen e Romëve 2022-2030.

Të gjithë të ndaluarit janë dërguar para gjykatësit hetues në Koçan, i cili pritet të vendosë për masën e ndalimit të përkohshëm. Arrestimet përfshijnë pothuajse të gjithë ministrat e ekonomisë që nga viti 2012, përjashtuar ministrin aktual që u emërua në qershor 2024 dhe që është pjesë e koalicionit shqiptar “VLEN”.

Hetimet zbuluan se klubi funksiononte me dokumentacion të falsifikuar, por të vulosur nga Ministria e Ekonomisë – një fakt që ka shtuar tensionet politike në vend. Partia opozitare shqiptare BDI, nga radhët e së cilës vijnë shumica e ish-ministrave të arrestuar, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve.

Në një deklaratë publike, BDI ka akuzuar kryeministrin Hristian Mickoski dhe Ministrinë e Brendshme për një “sulm të paprecedentë ndaj shqiptarëve”, duke theksuar se kjo është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë institucionale për tragjedinë dhe për të margjinalizuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndalur këtë fushatë të padrejtë dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend,” thuhet në reagimin e partisë së Ali Ahmetit.

Kujtojmë se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, koalicioni VLEN siguroi 14 vende në Kuvend ndërsa BDI arriti të fitojë 18. Pavarësisht rezultatit, kryeministri Mickoski zgjodhi të bashkëpunojë me VLEN, duke e cilësuar BDI-në si një regjim të tejzgjatur dhe të korruptuar pas dy dekadash në pushtet.