Përparim Ademaj, familjar i tre fëmijëve që vdiqën tragjikisht pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës tha se trupat e pajetë i gjetën pas rreth katër orësh kërkim.
“Kjo tragjedi ka ndodhë në këtë objekt të pabanueshëm. Rreth orës 10 e gjysmë në mbrëmje. Më herët kanë dalë si rinia tu lujtë, shokë”, tha ai në një prononcim për Indeksonline.
“Kur kemi kuptu që janë këtu, i kemi thirrë Policinë. Kanë ardhë Policia shumë shpejt, zjarrfikësit, ambulanca. I kemi gjetë pa shenja jete diku pas 4 orësh”, tha ai.
Në bazë të kamerave, ai tha se shtëpia e pabanuar ishte shembur rreth orës 16:30 të shtunën pasdite.
Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 dhe tjetri 14 vjeç – ishin brenda kur u zunë nga pllaka.
Majori i Policisë, Milazim Lumi tha se objekti kishte mbetur i pabanuar që prej luftës më 1999.