“Elevador da Glória” doli nga shinat e u përplas, duke i marrë jetën 17 personave. 20 të tjerë mbetën të plagosur; të paktën 5 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Policia po bashkëpunon me kompaninë që menaxhon tramvajin për të përcaktuar saktë kush ishte në bord, dhe çfarë e shkaktoi përplasjen.
Në mediat lokale, fokusi është vendosur tek te kablloja që mundëson funksionimin e sistemit të kundërpeshës, dhe që e lejon tramvajin të udhëtojë lart e poshtë kodrës shumë të pjerrët në qendër të Lisbonës. Ky sistem është përdorur që nga viti 1914. Fillimisht funksiononte me bazë ujin, pastaj avullin dhe tani është elektrik.
Përveç kabllos megjithatë, shtrohet dhe pyetja sesi arriti mjeti të dilte nga shinat dhe përse sistemi i frenimit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bllokuar zbritjen me shpejtësi në këtë shpat shumë të pjerrët. Këtë gjë e vunë re dhe dëshmitarët në vendngjarje.
“Tramvaji po ecte me shpejtësi të plotë në rrugën e pjerrët dhe goditi një ndërtesë. E pamë që u përplas me forcë brutale dhe u shemb si një kuti kartoni, nuk kishte frena”, u shpreh Carla Gomes, dëshmitare.
Sipas SIC Notícias, që iu referua operatorit hekurudhor, dyshimi kryesor për shkakun e ngjarjes së rëndë është pikërisht ngecja e frenave, por kjo po verifikohet. Ekspertët insistojnë edhe te rëndësia e shtimit të kontrolleve.
“Duhet të bëjmë më shumë inspektime dhe të kemi më shumë staf. E kalojmë kohën duke folur për sigurinë, por nga ana tjetër kemi gjithnjë e më shumë aksidente. Unë punoj në një kantier ndërtimi dhe gjithmonë kemi më shumë trajnime mbi sigurinë. Duhet hetim i thelluar për të parë se çfarë shkoi keq dhe për ta parandaluar që të ndodhë përsëri”, shprehet Adriano Santos, elektricist.
Qeveria portugeze e shpalli këtë të sotmen ditë zie kombëtare, në të gjithë vendin. Besohet se mes viktimave të përplasjes së tramvajit të konsideruar një atraksion i mirëfilltë turistik, ka edhe shtetas të huaj. Ai kishte vend normalisht për rreth 40 pasagjerë, por nuk ishte plotësisht i zënë.
Një aksident i tillë me tramvajin elektrik nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Lisbonë.