Tragjedi në Siegen: 22-vjeçarja gjendet e vdekur në banesë, arrestohet ish-partneri

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Siegenit në Gjermani.

Një 22-vjeçare u gjet e pajetë të premten në mbrëmje në një apartament në rrugën Weidenauer Straße.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, 22-vjeçarja nga Siegeni kishte pasur një konflikt me ish-partnerin e saj 28-vjeçar gjatë orëve të mëngjesit, shkruan Bild, përcjell .

Vetë 28-vjeçari njoftoi policinë rreth orës 17:45 të së premtes.

Kur në banesë mbërritën ekipet e emergjencës dhe mjeku i urgjencës, për gruan nuk mund të bëhej më asgjë.

Ajo kishte pësuar dëmtime në pjesën e kokës. Shkaqet dhe rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende duke u hetuar.

Ish-partneri i dyshuar ndodhet në paraburgim

Policia e arrestoi përkohësisht 28-vjeçarin, ndërsa për rastin është ngritur një komision i posaçëm hetimor nga Policia e Hagenit.

Të shtunën, i dyshuari u paraqit para një gjyqtareje të Gjykatës së Qarkut në Siegen.

Gjykata lëshoi ndaj tij një urdhër-arresti nën dyshimin për vrasje të shkallës së dytë (Totschlag).

28-vjeçari ndodhet tashmë në paraburgim. Autoritetet gjermane nuk kanë dhënë ende informacione të tjera, pasi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vazhdim.