Ylli i Premier League, 24 vjeç, u largua me barrelë mes lotësh në ndeshjen Shqipëri–Angli 0-2, ndërsa tifozët u frikësuan: “Mbaroi gjithçka”. Sulmuesi i Burnley, Armando Broja, ka pasur një karrierë të goditur rëndë nga dëmtimet, të cilat e kanë penguar të zhvillohej edhe tek ish-klubi i tij, Chelsea.
Sulmuesi nga Slough, i cili përfaqëson Shqipërinë, e nisi ndeshjen kualifikuese të Botërorit ndaj Anglisë nga stoli. 24-vjeçari u fut në fushë vetëm në minutën e 75-të, por vetëm dhjetë minuta më vonë, ai pësoi një dëmtim që dukej i rëndë në këmbë, teksa po driblonte. Lojtari, i dëshpëruar, mori trajtim në fushë, përpara se të nxirrej me barrelë, duke qarë.



Broja ka një histori dëmtimesh në gju, duke përfshirë edhe këputje të ligamentit të kryqëzuar (ACL), që e mbajti jashtë për pjesën më të madhe të vitit 2023, kur ishte ende te Chelsea. Ky dëmtim i fundit duket se e ka prekur thellë, dhe reagimi i tij, së bashku me historikun e dëmtimeve, ka bërë që disa tifozë të druhen se ky mund të jetë fundi i karrierës së tij në Premier League.
Një tifoz shkroi në “X”: “Broja kishte aq shumë potencial, por mendoj se për të ka mbaruar çdo gjë. Shumë, shumë e trishtueshme”. Një tjetër shtoi: “Sa herë që Broja bie i dëmtuar, më duket sikur edhe unë ndjej dhimbje tani. Djali është kaq i pafat”.

Ndeshja rifilloi për minutat e fundit, me Anglinë që e mbylli me fitore 2–0, duke kryesuar grupin me rekordin perfekt dhe duke u bërë e para skuadër që e arrin këtë pa pësuar gol. Kjo nuk ishte hera e parë që sulmuesi Broja shfaq emocione gjatë këtyre kualifikueseve. Ai i kishte shqetësuar tifozët edhe të enjten, kur u pa duke shpërthyer në lot pas fitores së Shqipërisë ndaj Andorrës.
Broja doli nga akademia e Chelsea, duke bërë debutimin e tij me ekipin e parë në moshën 18-vjeçare kundër Evertonit, në vitin 2020. Ai mori vëmendjen e tifozëve të Premier League gjatë huazimit të suksesshëm te Southampton në sezonin 2021/22.

Broja u vlerësua për shpejtësinë dhe finesën, pavarësisht shtatlartësisë së tij prej 1.91 metra. Sidoqoftë, një dëmtim i ACL e ngadalësoi ndjeshëm progresin e tij, pas rikthimit te Chelsea, përpara dy huazimeve të pasuksesshme te Fulham dhe Everton, që shuan pritshmëritë rreth tij.
Që nga fillimi i sezonit të kaluar, ai ka humbur mbi 30 ndeshje për shkak dëmtimesh. Broja u largua përfundimisht nga Chelsea në gusht të këtij viti për t’u bashkuar me Burnley e sapo ngjitur në Premier League, por ende nuk ka shënuar në pesë paraqitjet e tij të deritanishme në kampionat, të gjitha të nisura nga stoli.
The post TRAGJEDI DËMTIMESH / “The Sun””: A është ky, fundi i Armando Brojës në Premier League? appeared first on Telesport.











