Punëtorët e ndërmarrjes publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar nisjen e një greve që do të fillojë më 13 shkurt 2026. Ky paralajmërim për grevë, thonë se vjen pasi nuk morën një përgjigje zyrtare për kërkesat që i kanë bërë edhe në janar.
Në njoftimin e dorëzuar te menaxhmenti i ndërmarrjes, punëtorët theksojnë se bazuar në Kushtetutën dhe ligjin për grevën, deri më 6 shkurt nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga organet kompetente lidhur me kërkesat e tyre.
Kërkesat përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, me qëllim që të mos cenohen interesat publike dhe siguria e qytetarëve.
“Bazuar në nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Liria e Asociimit), Ligjin Nr. 03/L-200 për Grevat, konkretisht nenin 10 paragrafi 1 (njoftimi me shkrim së paku 7 ditë para fillimit të grevës), si dhe nenet përkatëse që rregullojnë organizimin e grevës në shërbimet me interes të përgjithshëm. Ju rikujtojmë se me datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri më datë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në Grevë me datë 13.02.2026. Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimet publike me interes të përgjithshëm, garantohet respektimi i minimumit të procesit të punës, në mënyrë që të mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.










