Trafiku Urban ndalon shërbimin për borxhe, por nënshkruan kontratë rreth 100 mijë euro për katër makina

Punëtorët e Trafikut Urban në Prishtinë kanë ndalur operimin e autobusëve për disa ditë rresht, duke protestuar për borxhet që Komuna e Prishtinës u ka akumuluar. Sipas sindikatës dhe zyrtarëve të ndërmarrjes, Komuna i detyrohet Trafikut Urban rreth 3 milionë euro, një shumë që është thelbësore për funksionimin normal të shërbimeve dhe për pagesën e pagave të punonjësve. Nga ana tjetër, menaxhmenti ndërmarrjes po realizon tender për furnizim me makina, shkruan Demokracia.com

Protestat kanë përfshirë bllokimin e pjesëve të qendrës dhe moslëshimin e autobusëve në rrugë, duke krijuar kaos për qytetarët. Shumë qytetarë janë detyruar të presin në stacione ose të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar, ndërkohë që punonjësit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Komuna për të shpëtuar shërbimin publik.

Ndërkohë, ndërmarrja ka shpallur një tender të ri për furnizim me automjete: “Furnizim me automjete (vetura) për nevoja të TU”, i fituar nga kompania e vetme pjesëmarrëse, DELFIN AUTO SH.P.K., me vlerë 97,900 euro për katër automjete.

Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës është 01.12.2025, derisa tenderi ishte hapur më 26 nëntor.

Bëhet fjalë për 4 automjete.

Autoriteti kontraktues ka kërkuar që automjetet të jenë të prodhuara minimum në vitin 2024, duke siguruar kështu që të jenë të rinj dhe me teknologji të përditësuar. Përveç kësaj, kërkohen specifika të detajuara si vëllimi i motorit, fuqia minimale, dimensionet e makinës, sedani me katër dyer, sensorët e parkimit dhe servisi i autorizuar në Kosovë, që synojnë funksionalitet dhe siguri maksimale për përdoruesit e Trafikut Urban.

Kjo kontraston me krizën e thellë financiare të ndërmarrjes, ndërkohë që qytetarët dhe punonjësit vuajnë nga mungesa e shërbimeve dhe pagesave, Trafiku Urban vazhdon të investojë në automjete të reja.

Në mënyrë që të kthehet në operim, ndërmarrja pret që këtyre ditëve komuna të alukojë mjetë në llogari të saj. /Demokracia.com/