Pas disa ditësh pezullimi, Trafiku Urban dhe transportuesit privatë do të rikthehen nesër në qarkullim. Vendimi për rifillim është marrë edhe pse borxhi që komuna u ka ndaj operatorëve nuk do të shlyhet plotësisht.
Kryeshefi i Trafikut Urban, Qëndrim Vitija, ka bërë të ditur për KOHËN se autobusët do të kthehen në linja, duke shtuar se situata mbetet e brishtë për shkak të mungesës së pagesave të plota.
Të njëjtin qëndrim e ka konfirmuar edhe Avdyl Brajshori, përfaqësues i transportuesve privatë, i cili ka theksuar se edhe sektori privat do të rifillojë punën, megjithëse obligimet financiare ndaj tyre ende nuk janë përmbushur.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka njoftuar pasditen e sotme se Ministria e Financave ka kryer vetëm një alokim të pjesshëm të të hyrave vetanake. Sipas njoftimit, komuna ka marrë 2.7 milionë euro nga 25 milionë që i takojnë për vitin fiskal 2024.











