Totaj: Kujtesa për gjenocidin dhe Masakrën e Reçakut obligim brezash dhe thirrje për drejtësi

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit serb ndaj Shqiptarëve në Kosovë, që përkon edhe me përvjetorin e Masakrës së Reçakut të vitit 1999, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nderuar martirët e kombit dhe ka bërë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

Në një postim në Facebook, Totaj ka theksuar se kjo ditë përfaqëson një moment reflektimi të thellë dhe respekti për sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si obligim institucional dhe kombëtar.

“Kujtesa për këtë tragjedi të madhe kombëtare duhet të përcillet brez pas brezi, si obligim për ta nderuar shtetin tonë, i cili u krijua me sakrifica të mëdha”, ka shkruar Totaj.

Kryetari i Prizrenit ka nënvizuar se përkujtimi i Masakrës së Reçakut dhe gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë është i lidhur ngushtë me aspiratën për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.

“Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit serb ndaj Shqiptarëve në Kosovë, sot përulemi me dhembje dhe krenari para sakrificës së martirëve të kombit”, ka deklaruar ai.

Në përfundim të mesazhit të tij, Totaj ka shprehur shpresën se drejtësia për krimet e luftës do të vihet sa më parë në vend, duke nderuar të gjithë të rënët për lirinë e atdheut.

“Me shpresën se drejtësia do të vihet sa më parë në vend për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, lavdi e përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut!”, ka përfunduar Totaj.