Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një episod që, sipas tij, ka ndodhur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ai pretendon se deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, është “befasuar” me tortë për ditëlindje në sallën e Kuvendit, dhe ka deklaruar se ajo është dërguar nga një këshilltar apo asistent i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Befasia e seancës së sotme nuk ishte mosvotimi nga ana e opozitës, por ‘befasia’ që grupi parlamentar i PDK-së i kishin bërë deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për ditëlindjen e tij. Tortja për të erdhi përmes një asistenti/këshilltari të grupit parlamentar të këtij subjekti. Për detajet e festës është mirë të na tregojë vet kjo parti, PDK”, ka shkruar Zyba.
Deklarata e deputetit Zyba ka nxitur reagimin e menjëhershëm nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Artan Behrami, ka mohuar këto pretendime dhe i ka cilësuar ato si shpifje, duke paralajmëruar se ky subjekt politik do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj deputetit të VV-së.
“Sali Zyba nuk është as befasia e seancës, as shqetësimi i opinionit – është, thjesht, një aksident politik që përfaqëson standardin më të ulët të përfaqësimit parlamentar në historinë e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Behrami në reagimin e tij.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen dhe kryeministrin në detyrë Kurti për, siç ka thënë, bashkëpunim të heshtur me Listën Serbe, duke pohuar se përmes këtij diskursi, sipas tij, VV përpiqet të shmangë debatet reale politike.
PDK ka theksuar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore lidhur me këtë çështje.
“Për shpifjet e Zybës do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore, derisa demokracia do të triumfojë mbi tundimet autokrate të Kurtit. Sa për tortë, kumbarët e Listës Serbe në Kuvend dihet kush janë. Është Kurti me VV-në që kërkojnë votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe”, ka shkruar Behrami.
The post Torta për deputetin e Listës Serbe në Kuvend? Përplasje mes VV-së e PDK-së appeared first on Kosovapost.net.