Tom Gashi pas dëshmisë së Martin Berishajt: Afera e montuar nga Serbia po bie, e vërteta po del në pah

Ambasadori Martin Berishaj ka dhënë sot një deklaratë sqaruese para Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në lidhje me hetimet që janë zhvilluar ndaj tij për një çështje të ngritur fillimisht nga një gazetar serb.

Avokati i Berishajt, Tom Gashi, ka deklaruar në rrjetin social Facebook se kjo paraqitje e klientit të tij ka ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe ka eliminuar çdo dyshim rreth përfshirjes së Berishajt në ndonjë veprim të jashtëligjshëm. Sipas Gashit, rasti në fjalë është një aferë e fabrikuar nga qarqe të afërta me shërbimet sekrete serbe, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Berishaj dhe përmes tij edhe të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti.

“Zotëri Martin Berishaj ka dhënë një deklaratë të qartë dhe të detajuar sot para Prokurorisë Speciale, e cila, ne besojmë, ka ndihmuar në mënyrë thelbësore për të hedhur dritë mbi një çështje të stisur politikisht. Ai është viktimë e një sulmi të koordinuar nga ata që urrejnë në mënyrë patologjike Lëvizjen Vetëvendosje dhe posaçërisht Kryeministrin Kurti,” ka deklaruar Gashi.

Ai shtoi se tashmë është e qartë se Berishaj ka qenë subjekt i një fushate të mirëorganizuar dezinformimi, me qëllim të njollosjes së figurës së tij si intelektual dhe diplomat.

“Falënderojmë Prokurorinë Speciale për profesionalizmin dhe qasjen serioze në këtë rast. Ne besojmë se tashmë është kristal e qartë se bëhet fjalë për një dëmtim kolateral të një njeriu që është ‘hale në sy’ për Serbinë dhe për ata që, me vetëdije apo pa vetëdije, shtyjnë agjenda të saj në Kosovë,” ka përfunduar Gashi.

The post Tom Gashi pas dëshmisë së Martin Berishajt: Afera e montuar nga Serbia po bie, e vërteta po del në pah appeared first on Kosovapost.net.