Sistemi TMS ka shkaktuar “kaos” edhe në Ligën e Dytë të Kosovës në futboll, raporton ekskluzivisht emisioni “Favorit”.
Dy ndeshje kampionale të xhiros së parafundit mund të regjistrohen me rezultate zyrtare, 3:0 – ndryshe nga ato të arritura në fushë.
Rrjedhimisht kjo mund të ndikojë direkt edhe në krye të renditjes tabelore dhe prej situatës përfituese mund të dalë FC Prizreni, i cili edhe i ka bërë të dyja ankesat në FFK, mëson emisioni “Favorit”.
Klubi prizrenas kërkon që ndeshja mes liderit, Tefik Çangës dhe Podujevës (1:0) të merr rezultat zyrtar 0:3, për Podujevën, me arsyetimin se kryesuesi i ligës e ka inkuadruar në lojë Sadik Krasniqin, i cili në TMS figuron si lojtar i një klubi gjerman.
Pra rast i ngjashëm me atë të Superligës, Ballkani – Feronikeli.
Momentalisht Tefik Çanga është i pari me 51 pikë, kurse Prizreni është i dyti, 49.
Ndërkohë, FC Prizreni kërkon fitore në tavolinë për veti, 3:0, ndaj Sharrit, lojë e kryer në fushë, 0:0.
Prizrenasit janë ankuar se Sharri e ka aktivizuar në ndeshjen ndaj tyre Fatlum Lleshin, i cili në TMS figuron si lojtar i Burrelit të Shqipërisë./GazetaExpress/