“Tmerr është, fëmijët po rriten qetu”, banorët e Fushë-Kosovës pa garazha dhe bodrume funksionale

Derën e garazhës po e hapin, por jo për të parkuar veturat.

Vetëm kështu mund t’i tregojnë të gjithëve gjendjen e rëndë në të cilën është katandisur kjo pjesë.

Banorët e kompleksit banesor BB Home në Fushë Kosovë, kanë 8 vjet që ndajnë të njëjtin hall.

Sipas tyre, ndonëse këto banesa janë lëshuar për banim prej 2016-ës kur kanë përfunduar edhe punimet, megjithatë garazha dhe bodrumet kanë mbetur jashtë funksionit e në gjendje aspak të mirë.

Sipas Erion Elezit, banor i këtij kompleksi, gjendja nuk ka ndryshuar për vite të tëra dhe, përkundrazi, është përkeqësuar.

Elezi përshkruan pamjet e përditshme që për banorët fatkeqësisht mund të jenë bërë normale, por prapëseprapë shqetësuese për kushte banimi.

Kjo ngase ashensorët janë të mbushur me ujë, mbeturina, parkingjet me kanalizim, e lagështia ka nisur të dalë edhe te banesat në katet më të larta.

Përveç kushteve të këqija në të cilat kanë mbetur këto garazha, banorët theksojnë edhe shqetësimet për fëmijët e tyre.

Kjo ngase fare pranë saj, është një park i vogël të cilin e frekuentojnë përditë fëmijët e lagjes.

Andaj edhe rreziku që të marrin ndonjë sëmundje nga era e keqe, është i madh.

Me rrebeshet e shiut dhe borës, problemet për këta banorë vetëm sa shtohen.

Sipas Elezit, banorët kanë kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Fushë Kosovës.

Meqenëse sipas Komunës, këto hapësira janë prona private dhe nuk janë pronë e privatizuar nga banorët, edhe intervenimi në rregullimin e këtij problemi qe i vështirë.

Zgjidhja e vetme që u bë nga Inspektoriati Komunal, ishte intervenimi me dy punëtorë, të cilët në paraditën e 3 tetorit u pajisën që me mjetet e tyre të zhbllokojnë vendet e bllokuara dhe të largojnë ujin që kaploi këtë vend.

Banorët dyshojnë që e gjithë kjo situatë vjen për shkak të mosmarrëveshjeve mes ndërtuesit dhe palëve të tjera.