Tjetër hap fals i Interit, zikaltrit “ngecin” në Firence dhe rihapin garën për titullin kampion (video)

Sfida përmbyllëse e javës së 30-të në Serie A, mes Fiorentinës dhe Interit është mbyllur në barazim 1-1, e luajtur në “Artemio Franchi”.

Zikaltrit e kanë nisur shumë mirë sfidën duke gjetur golin që në aksionin e parë, ku pas 40 sekondave lojë ishte Francesco Pio Esposito që shënoi me kokë pas krosimit perfekt të Nicolo Barella.

Në minutën e 7-të, Nicolo Barella dyfishon shifrat, por goli anullohet për pozicion jashtë loje. Në minutën e 16-të, Fiorentina kishte një mundësi të mirë me Moise Kean, por goditja e sulmuesit ndalet nga Yan Sommer.

Në minutën e 19-të, vendasit pretendojnë për një penallti pas rrëzimit të Moise Kean në zonë, por arbitri bën me shenjë që ndeshja të vazhdojë normalisht. Në minutën e 21-të, goditja me kokë e Albert Gudmundsson shkon pak jashtë shtyllës së majtë.

Në minutën e 39-të, ishte Moise Kean që dërgoi topin në rrjetë, por goli u anullua për pozicion jashtë loje. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Interin.

Pjesa e dytë ishte disi e mërzitshme dhe pa shumë raste. Në minutën e 77-të, Fiorentina barazon shifrat me golin e Cher Ndour, i cili ndoqi deri në fund aksionin dhe shtyu në rrjetë, topin e kthyer mbrapsht nga pritja e Sommer ndaj Gudmundsson. Në minutat shtesë, Inter tenton për golin e fitores, por goditja e Manuel Akanji ndalet nga i vëmendshmi David De Gea.

Rezultati final 1-1. Fiorentina merr një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke u renditur në vendin e 16-të me 29 pikë. Inter bën një tjetër hap fals dhe tani është vetëm 6 pikë larg Milanit të vendit të dytë.

SHIKOGOLAT

The post Tjetër hap fals i Interit, zikaltrit “ngecin” në Firence dhe rihapin garën për titullin kampion (video) appeared first on Telesport.