Sot me fillim nga ora 17:00, në kryeqytetin e Shqipërisë do të zhvillohet protesta në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjenden në Hagë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tri ditë më parë njoftoi se pritet që 60 autobusë të nisen nga qytete të ndryshme të Kosovës drejt Shqipërisë, për të marrë pjesë në këtë protest.
Sot, nga ora 17:00 sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.
Protesta me moton Liria ka emër, drejtësi për çlirimtarët në Tiranë pritet të jetë ndër më madhështorët ndonjëherë në përkrahje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga trojet shqiptare, raporton KosovaPress.
Qytetarët nga të gjitha trevat shqiptare po mobilizohen për të marrë pjesë në këtë tubim të cilin e shohin si detyrim moral dhe kombëtar ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri e sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në Tiranë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në tubim. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
Kryeministri Albin Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, për të dhënë një qëndrim për protestën, ku një sulm rezervoi edhe për kryeministrin Edi Rama.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale.