Tik-tak: Kurti më së largu sot një javë duhet ta prezantojë qeverinë e re, veç dera e Nismës hapur

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë mandatuar tash e më shumë se një javë për krijimin e qeverisë së re.

Ky afat përfundon më 26 tetor, apo sot një javë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, deri më tash, të paktën publikisht, nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Kjo përkundër se vetë Albin Kurti kishte premtuar se do të zhvillojë biseda me qëllim të sigurimit të numrave.

Asnjëra nga partitë nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, përveç Nismës.

Për qeverinë qendrore, dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse të rezultatit të zgjedhjeve lokale. Shumë shpejt, këtë javë do të fillojmë bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin, edhe unë si kryeministër kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë, duhet të kemi mandat të rregullt, që padyshim do të fillojë porsa të nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, ka thënë Kurti.

PDK, LDK dhe AAK ia kanë mbyllur derën përfundimisht Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit.

E vetmja pari që ia ka lënë atë të hapur është Nisma.

Deputetja Xhevahire Izmaku tha se janë të gatshëm të ndihmojnë.

“Nuk ka asnjë diskutim sa i përket qeverisë asgjë. Nuk ka filluar asgjë, ka mbet situata e re. Kemi qenë kundër votimit për kryetar të Kuvendit për zotëri Bashën edhe nuk ka pasë më tutje. Po them, nëse fillohet ka me fillu me karta të reja, ka me fillu gjithçka nga fillimi, edhe konstituimi i Kuvendit, edhe një kryetar tjetër i Kuvendit, apet ulemi në tavolinë dhe diskutojmë për një situatë të re politike. Sigurisht duke e menduar që endi ka nevojë shumë, shumë urgjente në krijimin institucioneve. Në këtë drejtim, Nisma e ka për qellim me ndihmu. Në çdo rrethanë edhe nëse do të ketë një proces tjetër ku do të hynë subjektet tjera në bisedime, ne do ta përkrahim. Nëse do të jemi vetëm ne, atëherë do të vendosim këtë kërkesë sepse vendit I duhet një figurë unike, plotësisht siç është zotëri Limaj që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishme ligjvënës në vend, siç është Kuvendi. Dhe që sjell unifikim sepse e shohim që se skena politike është e përçarë, dhe për mes pasë procese të madha në interes nacional, ne kemi nevojë me pasë edhe lidership që ka dhe sjellë unifikim”, theksoi ajo në intervistën për Ekonomia Online.

Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se subjektet e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim rreth bashkëpunimit me VV-në.

Ata kanë treguar arsyet pse janë kundër një qeveria Kurti 3.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka bërë me dije se partia e tij nuk e voton një qeveri të VV-së.

Ai ka treguar arsyet se pse PDK-ja nuk e voton një qeveri të tillë.

Në një prononcim për “Front Online”, Shala ka deklaruar se këto dy parti nuk i bashkon asgjë.

As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se shkaku i qeverisë “Kurti 2” Kosova sot përballet me sanksione nga ShBA dhe BE-ja.

Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, ka thënë Shala.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka kritikuar sjelljen e liderit të VV-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Kurti po sundon kundërligjshëm.

Deputeti Albin Kurti po qëndron në krye të Qeverisë tash e 6 muaj në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës . Po sundon kundërligjshëm. Nuk ndien kurrëfarë urgjence ky për funksionim kushtetues të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka qartësuar edhe një herë qëndrimin e kësaj partia në raport me bashkëpunimin e mundshëm me VV-në.

Ajo ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshim qëndrim për këtë çështje.

Sipas saj, AAK-ja nuk do ë bëhet pjesë e qeverisë Kurti 3.

Jo, nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë Kurti 3”, ka deklaruar ajo për Arbresh.info.