“Ti më plotëson, sa me fat jam”, Victoria Beckham emocionon me urimin për 50-vjetorin e David Beckham

Victoria Beckham ka emocionuar ndjekësit me një dedikim të ndjerë për bashkëshortin e saj, David Beckham, me rastin e ditëlindjes së 50-të të tij.

Ish-anëtarja e grupit Spice Girls dhe tani stiliste e njohur, postoi në Instagram një video përmbledhëse me momente të ndryshme nga jeta e Davidit, ku shihej si në çaste familjare ashtu edhe në ato më romantike mes çiftit, shkruan DailyMail.

“Në momentin që shoh këtë video, mendoj: ‘Wow… sa me fat jam!’ Je gjithçka që kam ëndërruar dhe më shumë. Gëzuar ditëlindjen e 50-të! Të dua pa fund, ashtu si dhe familjen tonë të bukur. Ti më plotëson”, ka shkruar Victoria në përshkrimin e videos.

Në montazhin e ndarë me ndjekësit, David shihet në forma të ndryshme – pa bluzë, duke ushtruar, madje edhe i veshur si personazh nga “The Incredibles”, duke treguar muskujt e tij të njohur. Një tjetër moment gazmor e shfaq çiftin duke rrëshqitur në një tobogan me shpejtësi, teksa Victoria bërtet “Ndal!”.

Në përmbledhje nuk mungojnë as momentet ikonike nga jeta e tyre – nga fotosesionet e Davidit, tek çastet intime familjare me katër fëmijët: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper. Në një video, ata shihen duke vallëzuar bashkë me këngën e tyre të preferuar “Islands In The Stream” – një kujtim i veçantë që u përfshi edhe në dokumentarin e suksesshëm “BECKHAM” në Netflix.

“Gëzuar një natë para ditëlindjes @davidbeckham… ti je gjithçka për mua. Shoku im më i mirë, shpirti im binjak dhe partneri im në kërcim për gjithë jetën”, shkroi ajo.

Atmosfera festive nisi me një mbrëmje gala në shtëpinë e tyre luksoze në Cotswolds, ku të ftuarit u shfaqën me veshje ‘black-tie’, kokteje elegante dhe madje edhe not gjatë natës në liqenin privat të shtëpisë.

Cruz Beckham, djali më i vogël i çiftit, ndau një ‘selfie’ para një posteri të babait të tij në një kampanjë për brendin e të brendshmeve “Boss”, duke i uruar: “Gëzuar ditëlindjen babi, të dua shumë!”.

Ndërsa Romeo Beckham, 22 vjeç, publikoi një fotografi të vjetër me babain e tij dhe shkroi: “Gëzuar ditëlindjen modelit tim më të madh në jetë. Të dua shumë!”.

Mbrëmja festive u shoqërua edhe me prezencën e anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë motrën e Victorias, Louise Adams, dhe fëmijët e saj. Louise u shfaq me një fustan të zi elegant të dizajnuar nga vetë Victoria.

Ndërkohë, Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, janë konfirmuar si të pranishëm në darkën ekskluzive që do të organizohet për ditëlindjen më 2 maj në restorantin me tre yje Michelin “Core” në Londër.

“David dëshiron një festë më intime për ditëlindjen e tij të 50-të, pranë familjes dhe miqve më të afërt”, tha një burim për The Sun. Ndër të ftuarit janë edhe figura të njohura si Tom Cruise dhe bashkëlojtarët e famshëm nga “Class of ’92”.

Festat për David Beckham duket se sapo kanë nisur – dhe nuk ka dyshim se kjo ditëlindje do të mbahet mend gjatë! /Telegrafi/