Thuram ndiqet nga dy gjigantë të Premier League. Në rast largimi, Interi ka piketuar zëvendësuesin… italian

Diçka është krisur. Buzëqeshjet vezulluese të Marcus Thuram, një prej protagonistëve të titullit kampion të fituar nga Interi pak më shumë se një vit më parë, duken se janë zbehur. Dëmtimet muskulare dhe forma në rënie në pjesën e dytë të sezonit kanë bërë që reflektorët të largohen nga sulmuesi francez. Në ndeshjen e fundit kundër Fluminense, i penguar nga problemet fizike, u pa një version i zbehtë i Thuram.

Nuk përjashtohet që edhe ai të ketë qenë target i kritikave të tërthorta të Lautaro Martinez të hënën në mbrëmje. Sigurisht, “like” i tij në postimin (kundërpërgjigjen) e Calhanoglu, në mes të një polemike të brendshme, nuk kaloi pa u vënë re.

Brenda grupit zikaltër ndjehet tensioni, përçarja mes dy sulmuesve titullarë, e dalë në pah gjatë mbledhjes së kërkuar nga Chivu, nuk është shuar plotësisht. Për këtë arsye, emri i Thuram është rikthyer në qendër të radarëve të merkatos.

Siç shkruan “Il Giorno”, francezi ka një klauzolë lirimi prej 85 milionë eurosh. Interi, edhe pse nuk ka ndërmend ta shesë lirë, mund të marrë në konsideratë oferta mes 60 dhe 70 milionë eurove. Arsenali dhe Manchester United e ndjekin, duke qenë në kërkim të një qendërsulmuesi.

Nëse situata përshkallëzohet, zikaltërit kanë identifikuar tashmë një zëvendësues të mundshëm: Moise Kean, i lindur në vitin 2000, me klauzolë prej 52 milionë eurosh, i vlerësuar pozitivisht nga drejtuesit zikaltër për moshën, profilin teknik dhe pasaportën italiane. Emri i tij ndodhet në bllokun e shënimeve të Ausilios.

The post Thuram ndiqet nga dy gjigantë të Premier League. Në rast largimi, Interi ka piketuar zëvendësuesin… italian appeared first on Telesport.