Thunberg në Reporting House, mëson historinë e protestave në vitet e `90-ta

Greta Thunberg, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ambientalistja suedeze ka vizituar sot Reporting House në kuadër të vizitës së saj dyditore në Kosovë. Thunberg është takuar me aktivistë nga organizata Termokiss dhe organizata të tjera rinore në Kosovë.

Dy orë të plota i ka ndarë aktivistja suedeze për të drejtat e njeriut Greta Thunberg, në muzeun Reporting House ku mësoi rreth historisë së aktivizmit dhe protestave qytetare të viteve të ’90-ta në Kosovë.

“Ajo u prit nga producentja jonë, Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut Gazmend Ejupi që së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi, folën për veprat e artit modern që ekspozohen në Reporting House dhe që reflektojnë për aktivizmin, si punimi për shkollat shtëpia nga Jakupi, etj”, thuhet në njoftimin e Reporting House.

Tutje kanë treguar se Thunberg vizitoi edhe Galerinë e Reporting House ku po ekspozohet puna e artistit 18 vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjawi “Fragmente të mbijetesës”.

“Thunberg u interesua për reagimet e politikës dhe shoqërisë kosovare për situatën në Gaza.  E shoqëruar nga aktivistë të rinj nga Kosova, Thunberg shprehu mirënjohje për zemërgjerësinë e njerëzve që ka takuar në Kosovë”.

Ndërkohë, bëhet e ditur se Jeta Xharra, producentja e ekspozitës ka thënë se e përcjellë aktivizmin e Gretës që një kohë të gjatë.

“Xharra theksoj po ashtu aktivizmin e Thunberg për padrejtësitë që po ndodhin në Gaza, duke e quajtur privilegj mundësinë për të rrëfyer historinë e padrejtësive në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta’, thuhet në njoftim.

The post Thunberg në Reporting House, mëson historinë e protestave në vitet e `90-ta appeared first on Kosovapost.net.