Thoshte “më testoni”: Kurti: Ishte në pranverë, deri në vjeshtë numrat kanë lëvizur

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka deklaruar se Kosova nuk ka rrugë tjetër, pos të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare

 

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur lidhur me deklaratën e tij ku kërkonte që të testohej nëse i ka numrat për Qeverinë, gjatë kohës kur u kërkonte partive tjera ta votonin Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit.

Kurti tha se është i bindur se po të votohej Haxhiu me votim të fshehtë, do të zgjidhej Kryeparlamentare, duke shtuar se numrat i kanë lëvizur nga pranvera.

“Unë jam i bindur që në atë kohë, Albulena i ka pas 61 vota me votim të fshehtë dhe insistimi im ka qenë më testoni, pra më provoni. Besoj që nga pranvera, vera e në vjeshtë numrat kanë lëviz. Prej 56 në 62-63, nga java në javë. Dje ishin 56, tash janë 3-4 deputetët që na e kanë thënë shumë qartë, bëni ju 60 vota e ne jemi i 61’ti. Kjo i bie që po të ishim 60, do të bëheshim 63-64. Por, jemi tash ku jemi”, deklaroi Kurti, në një konferencë për media.

Ai shtoi se në muajin maj, gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, kishte një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për të mos bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në muajin maj kur vijnë këto deklaratat tona vijnë atëherë kur dukej qartazi që kishte vullnet të mos ekspozoheshin ndaj krerëve të partive dhe mediave që e dhanë votën për konstituim të Kuvendit. Pra kishte një lloj trysnie të jashtëzakonshme mbi deputetët në muajin maj sivjet që kurrsesi të mos bëjnë as takime me LVV.”, tha ai.

Pas dështimit të djeshëm për votimin e Qeverisë, Kurti tha se për hapat e ardhshëm duhet pritur Presidentja Vjosa Osmani.

“Duhet ta presim Presidenten për hapat e mëtejshëm. Do të ishte mirë të ishim kursyer nga zgjedhjet në dhjetor”, tha Kurti.

Në votimin e djeshëm për Qeverinë, ishin vetëm 56 vota për.

Kurti del në konferencë pas dështimit: I ftuam LDK-në dhe Nismën për marrëveshje, s’deshën

 

Ndryshe, më 26 tetor, Kurti nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për nisjen e një mandati të ri në pushtet, pasi mori 56 vota për.

Tashmë i takon presidentes së vendit, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.