Juristja e medias, Flutura Kusari ka sugjeruar që edhe Kosova, ashtu sikurse Franca dhe Australia duhet të ndaloj me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
“Në Kosovë, ashtu si edhe në Francë dhe Australi, duhet me e ndalu me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeçare”, ka shkruar Kusari.
Një numër gjithnjë e më i madh vendesh perëndimore po synojnë miratimin e legjislacionit për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet e mundshme të rrjeteve sociale, pas ligjit historik të Australisë në dhjetor, i cili ndalon personat nën 16 vjeç të kenë llogari në Instagram, TikTok, Facebook dhe platforma të tjera.
Pas ndalimit në Australi, më shumë se 4.7 milionë llogari në rrjetet sociale, të cilat vlerësohej se i përkisnin personave nën 16 vjeç, janë çaktivizuar ose hequr, ka bërë të ditur muajin e kaluar kryeministri, Anthony Albanese.
Në atë kohë, Albanese i ka thënë CNN-it se qeveria e tij e kishte zbatuar ndalimin sepse “ne e dimë se po shkaktohet dëm shoqëror dhe, për rrjedhojë, kemi përgjegjësi si qeveri t’u përgjigjemi thirrjeve të prindërve, si edhe fushatës së të rinjve që thonë: na lini thjesht të jemi fëmijë”.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se dëshiron që qeveria e tij të përshpejtojë procesin ligjor për të siguruar që ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç të hyjë në fuqi përpara fillimit të vitit të ardhshëm shkollor në shtator.
“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje”, ka thënë Macroni në një video të publikuar nga BFMTV, partneri francez i CNN.










